Telegrafi

Prizreni funksionalizon aparatin e ri të mamografisë, shërbimi ofrohet falas

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Nexhip Berisha” në Prizren është pajisur me aparat të ri të mamografisë, dhe kontrollet përgjatë tërë vitit do të ofrohen falas.

Drejtuesit e Komunës si dhe zyrtarët e kësaj qendre kanë shprehur qëndrimin se në saje të këtij aparati modern do të mundësohet zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka theksuar se vënia në shërbim e këtij aparati të ri do të rrisë cilësinë e shërbimeve për diagnostifikimin e hershëm të kancerit të gjirit, raporton Telegrafi.

“Pos mjekëve, edhe pajisjet e teknologjisë së fundit, ndikojnë pozitivisht për ta rritur cilësinë e punës. Komuna e ka pas mundësinë me dhënë një përkrahje të tillë dhe jam i sigurt se mjekët do të dinë ta përdorin në mënyrën më të mirë të mundshme, për diagnostifikim të hershëm, në mënyrë që të mundësohet shërimi i sëmundjeve të rënda”, ka thënë Totaj.

 

Drejtori i Shëndetësisë, Simir Krasniqi ka theksuar si inkurajues faktin që ky aparat është funksionalizuar në prag të muajit tetor, që ndryshe njihet edhe si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

“E mira e kësaj aparature është se në muajin tetor në muajin rozë të gjitha gratë mund ta bëjnë mamografinë, dhe ky shërbim gjatë gjithë vitit do të jetë pa pagesë”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkaq u.d. drejtori i QKMF “Nexhip Berisha”, Fadil Bajraktari ka pohuar se përmes mamografisë mundësohet zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit, raporton Telegrafi.

“Kanceri i gjirit është shumë  i përhapur në kohët e fundit  dhe detyra jonë kryesore është parandalimi dhe zbulimi sa më i hershëm”, është shprehur Bajraktari.

Kontrollet do të jenë falas përgjatë gjithë vitit, ndërkohë që në rast të diagnostifikimit, sipas zyrtarëve përgjegjës edhe analizat laboratorike do të ofrohen pa pagesë. /Telegrafi/