Telegrafi

Prizreni me dy mendje rreth faljes së tatimit në pronë

U thirr seancë për të diskutuar për faljen e tatimit në pronë, por nuk kishte kuorum që ajo të vazhdonte. Opozita në Prizren kritikoi qeverisjen e Partisë Demokratike të Kosovës, pasi shumica nuk erdhën në këtë mbledhje të jashtëzakonshme.

“Prej të njëjtës qeveri e cila e ka rrit tatimin në pronë, sot na kërkohet një falje prej 100 eurosh, realisht ndodh kjo që të arsyetohemi para qytetarëve që ne jemi për me i fal borxhet, në anën tjetër shumica e anëtarëve të kuvendit këtu mungon sot në mbledhje”, ka deklaruar Haziz Hodaj nga LDK.

Anëtari i LVV-së, Karanfil Haxhillari, ka thënë se mungesa në këtë seancë të Kuvendit është “kthyerje e shpinës ndaj interesit të qytetarit”.

Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, tha se nga kjo falje nuk përfitojnë shumica e qytetarëve.

“Një vendim i tillë do t’i shkaktonte telashe komunës së Prizrenit në realizim të projekteve. Nuk është një vendim i cili do të ndikonte shumë, nëse do të ndodhte, tek ata që kanë nevojë, tek ata që janë me asistencë sociale, tek ata që kanë probleme financiare sepse shumica prej tyre jetojnë me qira”, ka thënë Shala, raporton RTK.

Ndërkohë, në sportelet e administratës në Prizren, qytetarët vazhdojnë ta paguajnë tatimin në pronë.

“Unë e kam paguar deri një vit më parë 18 euro, tash më ka ardhur 31 euro e gjysmë. Kush është fajtor? Nuk ka nevojë të falet tatimi, duhet të zbritet”, ka thënë qytetari Zenel Dajqaj nga fshati Krajk.

Sipas drejtorit të Financave Sulltan Badallaj, deri më tani rreth 80 % të qytetarëve e kanë paguar tatimin në pronë.