Edhe qyteti i Prizrenit është bërë me fushë ndihmëse, nga një investim i Ministrisë së Sportit në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës.
Stadiumi ka përfunduar me sukses, teksa klubet prizrenase tani do të kenë një hapësirë më shumë për t’i zhvilluar aktivitetet e tyre.
Fusha në Korishë të Prizrenit u përurua gjatë ditës së sotme.
Kjo hapësirë sportive do të jetë një mundësi e mirë që të përgatiten futbollistë të ri të klubeve të ndryshme dhe të shfrytëzohet nga shkollat e futbollit të Prizrenit.
Kësisoj, projektet e përbashkëta ndërmjet FFK-së, Ministrisë dhe Komunave po vazhdojnë dhe nuk do të ndalen as në vazhdim.
I gjithë ky investim bëhet me qëllim të përmirësimit të kushteve të infrastrukturës për të rinjtë dhe për të ardhmen e futbollit.
Në inaugurimin e këtij stadiumi ishin të pranishëm edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ministri në detyrë i sportit, Kujtim Gashi dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka. /Telegrafi/