Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës e cila funksionon në kuadër të policisë shqiptare njofton se të dielën me 21 tetor është arrestuar një mashkull nga Prizreni.
Sipas këtij njoftimi 32 vjeçari ishte i shpallur në kërkim për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose vizave”.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, falsifikimi ose përdorimi i letërnjoftimeve, i pasaportave apo i vizave të falsifikuara dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga katërqind mijë deri në një milion lekë (3-8 mijë euro).
Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet dhe me gjobë nga gjashtëqind mijë deri në dy milionë lekë, përcjell Telegrafi.
Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë letërnjoftimin, pasaportën apo vizën, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga një milion deri në tre milionë lekë.
Njoftimi i policisë:
Më datë 21.10.2018, në PKK Durrës, u kap shtetasi S.Sh, vjeç 32, banues në Prizren, Kosovë, i shpallur në kërkim për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose vizave”. Neni 183 i Kodit Penal./Telegrafi/