Site icon Telegrafi

Prizren: Shqyrtohet rrezikshmëria e antenave të telefonisë mobile

“Kohë më parë ekzekutivi ka pranuar kërkesën e DMSH-së për krijimin e komisionit përkatës, i cili aktualisht po punon në hartimin e raportit mbi caktimin e rrezikshmërisë së këtyre antenave për shëndetin e qytetarëve dhe kontrollimin nëse ato janë vendosur me lejet përkatëse të pushtetit lokal”, ka thënë drejtori i DMSH-së në komunën e Prizrenit, Sencar Karamuco.

Zyrtari i lartë komunal ka sqaruar se në këtë grup punues janë të përfshirë edhe zyrtarët e Drejtorisë së Urbanizimit dhe ata të Shërbimeve Publike, dhe meqë bëhet fjalë për një çështje komplekse është kërkuar edhe mbështetja nga agjencitë tjera qendrore.
“Për shkak të mungesës së pajisjeve teknike për matjen e ndikimit të këtyre antenave ne kemi bërë kërkesë në ART dhe në institucionet tjera që të na ndalin në ndihmë. Pas grumbullimit të dhënave dhe analizës së tyre besoj se brenda një kohe të shkurtër do të dalim me raport të hollësishëm, në të cilin do të jepen rekomandime për veprim të mëtutjeshëm për institucionet dhe operatorët e telefonisë mobile”, ka deklaruar Karamuco.

Përderisa komisioni komunal merret me shqyrtimin e kësaj çështjeje, prania e antenave të telefonive mobile aktualisht “dekoron” shumë ndërtesa brenda Prizrenit. Përpos që janë të vendosura në banesa kolektive e shtëpi individuale ato mund të vërehen edhe në komplekse sportive, si në brendi të stadiumit të qytetit dhe të pallatit të sporteve, apo madje edhe në objektet shkollore.

Duke e parë këtë “laramani”, disa muaj më parë Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i pat bërë thirrje organeve komunale që të marrin masa për vënien e rregullit në këtë fushë. Kjo organizatë ende insiston se institucionet duhen trajtuar në mënyrë më dinamike këtë çështje. /koha/
 

Exit mobile version