Telegrafi

Privatizimi vazhdon

Procedurat e privatizimit të ndërmarrjeve publike, sipas drejtuesve të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, do të vazhdojnë.

Ministri Besim Beqaj tha për Radion Evropa e Lirë se do të vazhdojnë së shpejti me privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës. Ai nuk jep ndonjë afat kohor se kur mund të fillohet me privatizim e resurseve publike, por shprehet i bindur se ky proces do të jetë transparent dhe në favor të ekonomisë së vendit.

“Prioritet i ministrisë, të cilën do ta udhëheq, do të jetë vazhdimi i privatizimit. Do të procedojmë shumë shpejt me privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës, do të vazhdojmë me procedurat e filluara me herët në fushën e përgatitjes së distribucionit dhe projektet tjera të mëdha”, shprehet Beqaj.

Në proces të privatizimit tashmë është Postë-Telekomi i Kosovës dhe Korporata Energjetike, ndërkaq Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është dhënë me koncesion.
A ka dështuar privatizimi në Kosovë?

Ministri Beqaj shpreh besimin që Kosova konform zhvillimeve ekonomike që ka pasur deri më tani dhe konform edhe planit për investime publike, të cilat, sipas tij, për këtë vit janë 600 milionë euro dhe planit që ata kanë për ta involvuar sektorin privat në zhvillimin e vendit, do të ndihmohet që të ndryshohet struktura e kontributit në zhvillim ekonomik.

Beqaj beson se privatizimi do të ketë efekte pozitive në zhvillimin ekonomik të Kosovës. /Telegrafi/