Site icon Telegrafi

Privatizimi proces i varfërimit

Këto të dhëna dalin nga raporti “Privatizimi në Kosovë”, i publikuar nga Instituti Norvegjez për Çështje Ndërkombëtare, tregon se si ky proces në vend të zhvillimit ka sjellë vetëm varfërim në Kosovë. Raporti, të cilin e ka siguruar Gazeta Express, akuzon direkt ndërkombëtarët e përfshirë në ketë proces, siç ka qenë Shtylla e Katërt e UNMIK-ut dhe ish-AKM-ja. Për të dy këto institucione thuhet se janë ngutur për t’i shitur ndërmarrjet dhe se kanë bllokuar punëtorët kosovarë duke e pritur privatizimin.

“Ky proces ka ngushtuar mundësitë e funksionimit të ndërmarrjeve dhe duke i transformuar ato në para në një periudhë të vlerës së ulët dhe duke mos ndihmuar për punësimin ose mbrojtje sociale pas privatizimit”, tregon raporti.

Gjithashtu, sipas të njëjtit raport, privatizimi ka çuar në humbjen e vendeve të punës, për shkak të administrimit të keq të ndërmarrjeve shoqërore nga UNMIK-u.
Vetëm në vitin 2002 është parashikuar se për këtë arsye i kanë humbur vendet e punës deri në 60 mijë persona. “Sindikata e Kosovës ka përllogaritur se 70 mijë punëtorë kanë mbetur pa punë, pa pensione dhe pa asistencë sociale, për shkak të privatizimit”, thuhet në raport.

Ndërkaq, për t’i ikur përgjegjësisë në fund të këtij procesi, thuhet së ndërkombëtaret kanë krijuar një mori ligjesh dhe institucionesh, siç është Oda Speciale e Gjykatës Supreme dhe në fund kompetencat i ka kaluar tek AKP-ja. /Telegrafi/

Exit mobile version