Site icon Telegrafi

Privatizimi i PTK-së, opozita skeptike

Ky është qëndrimi i deputetëve opozitarë në Kosovë ndaj privatizimit të PTK-së.
“Qeveria nuk e di se çfarë do t’i garantojë investuesit kur qeveria nuk ka kodin e telefonisë mobile dhe fikse. E dimë që Kosova funksionon me dy kode të huaja”, është shprehur për “Top Channel” Myzejene Selmani, deputete e AKR-së.

Blerim Ramosaj, deputet i LDK-së i tha “Top Channel” se interesi i investuesve potencialë duhet të jetë i tillë që ata dëshirojnë të blejnë PTK-në në tërë territorin e Kosovës dhe në aspektet e aseteve të tjera. “Prandaj kuvendi i Kosovës nuk i ka dhënë dritë jeshile privatizimit të PTK-së”, theksoi Ramosaj.

Por, pavarësisht, kësaj qeveria ka shpallur shprehjen e interesit për privatizimin e PTK-së. Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala përmend disa nga investitorët potencialë.

“Operatori që do ta blejë PTK-në, duhet t’i ketë 51 për qind të aksioneve. Deri më tani janë paraqitur operatorët rajonalë, Turkish Telecom, Eras Com, Egjiptas, Eagle Mobile, Cable and Wireles, Monaco”, tha Ahmet Shala, ministër i Ekonomisë dhe Financave.

Ministri Shala tha se janë korrigjuar vërejtjet e deputetëve dhe strategjia e PTK-së do të kthehet sërish në Kuvend. Sa i përket ofrimit të garancive për investuesin, ministri tha se qeveria e ka mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare për këtë çështje. /Telegrafi/
 

Exit mobile version