Telegrafi

Privatizimi i PTK-së dhe KEK-ut është vonuar

Aktualisht, më shumë se 90% e potencialit të gjithëmbarshëm ekonomik, strukturë kjo e trashëguar nga sistemi i kaluar, akoma është në duar të shtetit, jashtë tregut të lirë që sjell profit, jashtë konkurrencës së lirë.

PGJK-ja vlerëson se Kosova është në një moment delikat të reformave ekonomike, ngjashëm më Rusinë e vitit1992, kur forcat bolshevike në Dumën ruse shkarkuan reformatorin Gajdar dhe ekonomia ruse mbeti shumë prapa Kinës, Indisë ,Brazilit, Polonisë…

“Konsiderojmë se qasja ndaj tregut të lirë dhe privatizimit të sektorëve strategjikë, si
i vetmi potencial dominues ekonomik që kemi për tërheqje të investimeve të huaja, dhe si mundësia e vetme e një zhvillimi dinamik ekonomik, fatkeqësisht është politizuar, duke
mbizotëruar në këto polemika mentaliteti i vjetër etatist-komunist. Për pasojë, mund të shkaktohen vonesa edhe më të mëdha në reforma, thellim i varfërisë ekstreme në vend dhe rritje e korrupsionit e krimit të organizuar”, tha të dielën kreu i PGJK-së, Daut Maloku.

“Po të ishte PGJK-ja vendimmarrëse, ne do të ofronim, pa hezitim, investitorëve seriozë KEK-un dhe PTK-në, për vlerë simbolike respektive vetëm 1 dhe 2 CENT, më kusht që vlera e kualifikuar e aseteve të privatizuara të investohet urgjentisht në zhvillim, modernizim, konkurrencë dhe efikasitet ekonomik të këtyre degëve, gjersa autostrada Vermnicë-Merdare do financohej nga kreditë e jashtme. Ne nuk do të përdornim mjetet e privatizimit për nevoja buxhetore”. /Telegrafi/