Telegrafi

Privatizimi i ndërmarrjeve publike, pas analizave

Sipas gazetës Koha Ditore, projekte të rëndësishme janë stopuar për më shumë se 4 muaj në mungesë të ministrave në komitetet e privatizimit. Procesi i privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), kualifikimi i kompanive për privatizimin e Distribucionit, vazhdimi i projektit “Kosova e Re” dhe dhënien me koncesion të Hidrocentralit të Zhurit pritet të jenë në agjendën e Qeverisë së re, që pritet të formohet në javën e ardhshme.

Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv i institutit RIINVEST, thotë se në mungesë të strategjisë ekonomike çdo ndërrim i qeverisë mund të ndryshojë edhe qasjen ndaj projekteve të mëdha. Ndryshimi i qasjes, sipas tij, mund të ketë efekt negativ tek investitorët. “Parimisht është dashur t’i kemi disa vija të qarta sa i përket privatizimit dhe sektorëve strategjikë, të cilët do të vendoseshin përmes një strategji ekonomike. Por fatkeqësisht ne nuk kemi strategji ekonomike”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka vlerësuar se vonesat prej 4 muajve për projektet dhe mundësia që ndërrimi i ministrave të ketë ndikim në ecurinë e projekteve mund të ndikojë negativisht tek investitorët.“Mungesa institucioneve nuk jep komfort për investitorët, por në anën tjetër, jo që ka pasur ndonjë komforti nga Qeveria e kaluar pas të gjitha aferat që i kanë bërë. Pra, kemi një mes të artë”, ka thënë drejtori ekzekutiv i institutit RIINVEST.

Ai thotë se marrja e vendimeve të shpejta për projekte strategjike mund të ketë kosto të lartë për ekonominë e vendit. “Unë them se nuk duhet të ngutemi. Ndoshta kishte qenë më mirë që projektet e mëdha t’i marrim më shtruar, më ngadalë, sesa të shkojmë me një nguti të shpejtë dhe të kuptojmë pastaj që kemi bërë një sërë gabimesh dhe në fund mos të kemi rezultat”, ka thënë Abdixhiku. /Telegrafi/