Jemi dëshmitarë se zhvillimet dinamike dhe inovacionet në teknologjinë informative dhe komunikuese (TIK) janë duke transformuar stilin e jetës, mënyrën e zhvillimit të biznesit, deri te mënyra e të mësuarit, shërbimet shëndetësore si dhe aspektet të ndryshme të të qeverisurit. Ndikimi i TIK në konkurrueshmërinë dhe në të gjitha aspektet e jetës në ekonomitë e zhvilluara, si dhe potenciali në zhvillimin ekonomik dhe social nuk mund te mohohet. Prandaj, pesha strategjike e TIK në mundësimin e zhvillimit të vendit dhe reduktimin e varfërisë duhet të kuptohet dhe operacionalizohet si përpjekje për përfitime nga përparësitë krahasuese.
Në fakt, historia e ekonomisë, procesi i të mësuarit kumulativ dhe transformimit i përcjellë gjatë shfrytëzimit të TIK dhe ritmi i kësaj vale të ndryshimeve teknologjike sugjeron qëndrimin se qasja “shohim dhe bëjmë” do të mbaj vendin tonë jashtë revolucionit teknologjik jo më pak të thellë se revolucioni i fundit industrial.
Në një mënyrë, ne jemi arkitekt të involvuar në afrimin e njerëzve dhe ndërlidhjen e komuniteteve dhe së bashku duhet të përcaktojmë rrugën për këtë fisnikëri dhe ekonomi globale ku individët, komunitetet dhe kombet të mund të jenë pjesëmarrës.
Por për ndërtimin e infrastrukturës telekomunikuese moderne nevojitet kapital mjaft i madh privat. Privatizimi i kompanisë publike (PTK), në vete nuk është i mjaftueshëm. Monopolisti, edhe i privatizuar, është pak e besueshme se do të ofroj shërbime efikase, inovative dhe jo të shtrenjta për publikun. Liberalizimi i tregut mundëson lulëzimin e konkurrencës duke joshur investimet e nevojshme për ndërtimin e rrjetave konkurrente.
Edhepse qeveria në këto kondita nuk është akteri më i përshtatshëm për funksionin e ofruesit të shërbimeve telekomunikuese, ajo megjithatë ka një rol të rëndësishëm. Ajo duhet të promovoj tregun e hapur dhe konkurrues duke krijuar sistemet e pavarura rregullatore dhe promovoj, ku është e mundur, një ambient pa rregullim të tepruar/panevojshëm. Me zhvillimin e konkurrencës dhe pjekurinë e saj, qeveria duhet të shpenzoj më tepër kohë në sigurimin e punës efikase të tregut e më pak kohë në detyrimet rregullatore. Ku ekziston konkurrenca, tregu, e jo qeveria, është rregullator më efektiv.
Qeveria e Kosovës nuk mund të financoj investime të mëdha, të cilat janë të nevojshme për zgjerimin e infrastrukturës telekomunikuese, prandaj, inkurajimi dhe mundësimi i investimeve private, vendore dhe të huaja është me rëndësi kritike. Proceset qeveritare shpesh nuk janë në gjendje të përcjellin dinamikën e ndryshimeve teknike. Të bazuarit në tregun konkurrent tenton të maksimizoj efikasitetin teknik dhe alokues. Duke u fokusuar në zvogëlimin e barrierave për hyrje në treg dhe vetëpërmbajtja nga detyrimet e panevojshme rregullatore, qeveria ju mundëson investitorëve potencial privat iniciativë për të investuar.
Pranë inkurajimit të marrjes së rolit prijetar nga sektori privat, rregullatori duhet edhe të siguroj që rrjetat janë të sigurta dhe bashkëveprojnë. Në ndërmarrjen e këtyre hapave dhe realizimin e këtyre qëllimeve, rregullatori duhet të pres që operatori dominant (PTK) në mënyrë të vrazhdë dhe shpesh do të ju kundërvihet vendimeve që e hapin tregun për konkurrencë. Operatori dominant pritet të kundërshtoj vendimet nëpërmjet proceseve rregullatore, në gjykata dhe në treg.
Këto çështje janë kritike sepse vendimet e rregullatorit do të jenë faktorët qenësor për ofruesit e shërbimeve dhe investitorët në marrjen e vendimit për hyrje ose heqje dore nga mundësia për hyrje në tregun Kosovar. Transformimi i suksesshëm i tregut nga monopoli në treg konkurrues kërkon vizion, procedura të hapura, paanshmëri dhe vendimmarrje të mbështetur në fakte. Me qëllim të realizimit të benefiteve nga konkurrenca, qeveria dhe rregullatori duhet të krijojnë një kornizë adekuate që do të qeverisë sektorin e telekomunikacionit. Në kuadër të kësaj kornize një nga pozicionet më të rëndësishme është mbrojtja nga fuqia në treg e operatorit dominant gjatë fazës së tranzicionit në tregun konkurrent.
Në këtë proces është me rëndësi fundamentale të bëhet definimi i principeve të qeverisjes së interkoneksionit me rrjetën e operatorit monopolist. Edhe konkurrenti i bazuar në pajisje vetanake, ka nevojë për interkoneksion që do të i mundësoj shkëmbimin e trafikut me klientët e rrjetave tjera, posaçërisht me rrjetën e operatorit dominant ku shumica e klientëve e realizojnë shërbimin e tyre. Pa mundësi të interkoneksionit me kushte adekuate (të detajizuara në modelin e kostos, operatori konkurrent me pajisje vetanake nuk mund të mbijetoj.
Përfundimisht mund të themi se menaxhimi joadekuat i problemit të interkoneksionit në pikëpamje menaxheriale, administrative, ligjore dhe ekonomike do të thotë ngecje e theksuar në infrastrukturen telekomunikuese me pasoja shumë negative për një vend të vogël dhe të varfër siç është Kosova.