Telegrafi

Privatizimi i fshehtë i INSIG, kualifikohen 8 kompani

“Këto kompani kanë një eksperiencë të gjatë në tregun e sigurimeve. Primet e tyre variojnë nga 200 milionë euro në 12 miliardë euro.”, – deklaron Petraq Milo, kryetar i Bordit Drejtues të INSIG.

Sipas tij, kompanitë kanë hyrë tashmë në fazën e ndërmjetme të procesit të privatizimit që ka nisur nga 10 shtatori dhe do të zgjasë deri në nëntor, kur parashikohet të zhvillohet tenderi.

“Kompanitë në këtë fazë të ndërmjetme kanë nënshkruar marrëveshjen konfidenciale, ku zotohen se nuk do të nxjerrin të dhënat e INSIG si dhe memorandumin e mirëkuptimit dhe informacionit. Gjatë kësaj faze, kompanitë do të japin një çmim ofertues, i cili shërben si shkallë sigurie për pjesëmarrje në tender dhe si testues për ofertën përfundimtare që do të jepet.“-shprehet Milo. Sipas tij, tetë kompanitë në garë janë njohur tashmë me bilancet financiare dhe asetet e INSIG, jo vetëm për degën në Shqipëri, por edhe filialet në Kosovë dhe Maqedoni, të cilat do të shërbejnë për të dhënë ofertën përfundimtare në tenderin e nëntorit.