Site icon Telegrafi

Privatizimi i Dellit

Politikanët e Kosovës kanë vendosur që asnjë ndërmarrje të mos mbetet pronë publike, por të gjitha të privatizohen, madje edhe KEK-u, PTK-ja e Aeroporti, që janë ndërmarrjet më të mëdha dhe më të rëndësishme të vendit tonë. Këtë ata po e bëjnë vetëm për një qëllim. Ky qëllim nuk është përfitimi i Kosovës nga ky privatizim (siç thonë ata), por përfitimi i tyre personal. Nga ky privatizim humb populli i Kosovës. Posaçërisht humbin shumë punëtorët sepse edhe numri i tyre i pakët që janë të punësuar nëpër këto ndërmarrje, do të reduktohet pasi që këto të fundit të privatizohen.

Qëllimi i pronarit privat nuk është rritja e të punësuarve me qëllim të rritjes së mirëqenies apo zvogëlimit të varfërisë për popull, por rritja e profitit sa më të madh për vete. E këtë ai e arrin duke e reduktuar numrin e punëtorëve dhe duke shfrytëzuar fuqinë punëtore me një çmim shumë të ulët, sepse njerëzit, duke mos mundur që të punësohen askund, do të pranojnë oferta që të punojnë me paga shumë të ulëta. Sepse vetëm kjo është zgjidhja e vetme që të mbijetojnë.

Një rast të tillë e kemi parë tani në këto ditët e fundit. E keni parë sesi ish punëtorët e ndërmarrjes së Industrisë së Duhanit në Gjilan tashmë kanë filluar që të protestojnë, sepse menjëherë pas privatizimit të kësaj ndërmarrje, kompania blerëse ka filluar largimin e punëtorëve nga vendi i punës dhe qysh nga 13 marsi 2009 ka pushuar punën krejtësisht. Në anën tjetër, kjo kompani, përveç largimit të punëtorëve nga puna, po i dëmton edhe prodhuesit vendorë të duhanit të cilët kishin lidhur kontrata me këtë kompani. Kjo kompani në fillim i mashtroi ata në çmimin e blerjes së duhanit dhe në vlerësimin e cilësisë së tij, dhe pastaj ajo e ndaloi në tërësi blerjen e duhanit të tyre pasi që pushoi së funksionuari në veprimtarinë e saj.

Në emisionin Jeta në Kosovë, ambasadori amerikan, Christopher Dell, tha se pasi që qeveria është hisedari kryesor në ekonomi, është i domosdoshëm privatizimi i KEK-ut, PTK-së dhe Aeroportit. Delli mendon që ky do të ishte një hap i mirë sepse kështu qeveria nuk do të kishte hise më në ekonomi, dhe nuk do të mund të vidhte më nga këto ndërmarrje kur të privatizohen.
Në këtë intervistë Delli tha po ashtu se të gjitha partitë aktuale janë njësoj dhe, sipas tij, kjo situatë e hap rrugën e daljes në skenë të një formacioni të ri politik me kërkesa të ndryshme nga këto të këtyre partive aktuale.

Dy mendimet e Dellit nuk janë të përshtatshme njëra me tjetrën sepse edhe sikur të dilte ndonjë parti e re, e cila nuk do të ishte e korruptuar, ky po ia mbyll rrugën asaj që të menaxhojë mirë me këto ndërmarrje sepse këto po shiten ende pa hyrë ajo parti e re në politikë, pra po shiten në këtë vit para se të mbahen zgjedhjet. Duke i menaxhuar mirë, këto ndërmarrje do t’i sillnin profite të mëdha vendit dhe shoqërisë sonë, por, me privatizimin e tyre do të ndodh pikërisht e kundërta.

Nuk ndalet korrupsioni duke i privatizuar ndërmarrjet shoqërore. Duke vepruar kështu ndodh pikërisht e kundërta. Duke i shitur ndërmarrjet, përfitojnë shumë ata që i shesin, sepse politikanët tanë ato i shesin me çmime shumë të ulëta. Çmimi shitës i një ndërmarrjeje që e caktojnë politikanët tanë është më i ulët sesa vetë vlera aktuale e asaj ndërmarrjeje. Pra, përveç që në caktimin e çmimit, nuk llogariten të mirat apo fitimet që ia sjell ndërmarrja blerësit të saj, nuk llogaritet as vlera aktuale e ndërmarrjes. Ata e caktojnë çmimin kështu sepse pjesa e mbetur e vlerës së ndërmarrjes iu paguhet atyre nga blerësi. Edhe blerësi është i gatshëm që atë shumë t’ua jep politikanëve, sepse ata ia mundësojnë atij që në mesin e shumë konkurrentëve ta fitojë tenderin dhe ta blejë ndërmarrjen.

Secili vend, përpara se ti privatizojë ndërmarrjet publike, e bënë një strategji të zhvillimit ekonomik dhe në bazë të këtij plani zgjedhë se çka duhet privatizuar e çka jo. Pothuajse shumica e shteteve i kanë disa ndërmarrje të cilat nuk i kanë privatizuar për shkak të rëndësisë strategjike që kanë për vendin e caktuar. Është gabim që të vendoset të privatizohet një ndërmarrje për shkak se nuk sjell profit dhe ka keqmenaxhime, dhe gjithnjë duke aluduar se mungesa e profitit dhe keqmenaxhimi është rezultat i të qenit pronë publike.

Gjithnjë e më shumë në Kosovë po mundohen që KEK–un ta paraqesin si rast të tillë. Është e vërtetë që KEK-u nuk sjell profite dhe ka keqmenaxhime, sepse në menaxhmentin e KEK-ut gjithmonë kanë udhëhequr njerëz të korruptuar e të ndikuar nga qeveritë në pushtet. Sa herë që ndërrohen udhëheqësit e qeverisë, ndërrohen edhe udhëheqësit e ndërmarrjeve të mëdha publike. Po të kishte një qeveri të pakorruptuar, atëherë do të kishte edhe një menaxhim të mirë të kësaj ndërmarrjeje, dhe KEK-u do të ishte një korporatë shumë profitabile. Gjithashtu KEK-u nuk bën që të privatizohet sepse është ndërmarrje-monopol në Kosovë, dhe pas privatizimit pronari i saj mund t’i ngrisë çmimet me qëllim të maksimizimit të fitimit. Kjo gjë po ndodh në Shqipëri. Atje tashmë janë ngritur çmimet e rrymës.

Populli i Kosovës, e posaçërisht punëtorët e këtyre ndërmarrjeve, do të humbin shumë nëse politikanët tanë do ia arrijnë qëllimit që t’i privatizojnë këto ndërmarrje. Pikërisht për këtë arsye, ata në deklaratat e tyre publike thonë që edhe kur të privatizohen këto ndërmarrje nuk do të humb Kosova e as nuk do të zvogëlohet numri i punëtorëve, sepse i frikësohen popullit dhe punëtorëve që një ditë të gjithë do të ngriten kundër këtij privatizimi dhe do ta ndalin këtë proces të dëmshëm për popullin e, në anën tjetër, shumë të favorshëm për pushtetarët tanë. Pra frikësohen që do të mbesin pa i vjedhur edhe këto të holla që kanë planifikuar t’i vjedhin nga ky privatizim.

Exit mobile version