Me orë të tëra janë duke pritur mërgimtarët të cilët kanë vendosur të vijnë në Kosovë për festat e fundvitit.
Vetëm në pikën kufitare në Merdarë, bashkatdhetarët që nga mëngjesi po presin deri në katër orë në hyrje. Këta të fundit po fajësojnë institucionet e vendit, derisa nga Policia e Kosovës po bëhet thirrje që të shfrytëzohen pikat tjera kufitare.
Sa herë që po merr rrugën për Kosovë, Hajdin Ibrahimi po bën gati dy ditë udhëtim për nga Gjermania për të arritur në vendlindje. Ai thotë se vetëm në pikën kufitare në Merdarë sot ka pritur 4 orë e gjysmë, derisa për këtë po fajëson Qeverinë e Kosovës.
“Kam prit 4 orë e gjysmë, kjo është katastrofë, për çdo vit kështu. Qe katër orë e gjysmë t’u prit, fëmijët e vogël, kjo nuk është normale për qeverinë tonë, nuk është në rregull. Qeveria mund të merr diçka masa, në katund është rendi që po presin njerëzit. Unë qeverinë e fajësoj. Qeveria jonë mundet me ndërmarrë diçka, se pala serbe është duke i bërë këto”, shprehet ai.
Shefqet Jashanica nga Vranidolli, i cili po vije nga Gjermania, është nisur me familje për të ardhur në Kosovë që 24 orë. Ai po thotë se janë mërzitur me këto pritje sa herë që po vijnë në vendlindje.
“Në Kroaci kemi prit dike tetë orë, këtu kemi prit dy orë e gjysmë. Shteti jonë, ata qeveritarët që janë ënjtur e janë bërë kajmak turp duhet me ju ardhë që nuk kanë interes për popull të vet, janë pasuruar dhe populli po i vuan të këqijat”, thotë Jashanica.
Për këtë Ahmet Deda, i cili po ashtu ka pritur pothuajse tërë paraditen e sotme, thotë se duhet të ngritën kapacitetet.
“Siç funksionon në Evropë këtu duhet të shtohen më shumë sportele, sepse po të dalësh tek dogana andej, do te shohësh, janë vetëm dy sportele nga katër që janë ekzistues janë vetëm dy në punë, po të jenë katër nuk do te ishin kaq makina, por gjysma e tyre”, deklaron ai.
Në bazë të të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhimin e Kufijve, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të orës 15:28, kolonat në hyrje në Merdarë janë mbi 150 minuta.
“Kolonat në hyrje në pikën kufitare më Merdarë janë 150-180 minuta. Ndërsa, dalja 5-10 min. Kolona është e gjatë 1500 deri në 1800 metra në hyrje. Në pikën tjetër kufitare tek Dheu i Bardhë qytetarët po presin 70-90 min, ndërsa kolona është e gjatë 500 metra”, thuhet në qendrën kombëtare për menaxhimin e kufijve.
Në lidhje me këtë për KosovaPress, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha thotë se janë duke ndërmarrë masat e nevojshme për lehtësimin në qarkullim.
“Policia e Kosovës varësisht prej fluksit, numrit t2 madh t2 automjeteve dhe autobusëve me udhëtarë që kërkojnë edhe procedura të caktuara të kontrollit dhe menaxhimit në pikëkalime kufitar, po ndërmerr edhe masa të nevojshme të shtimit edhe të kapaciteteve tona për lehtësimin në qarkullim, megjithatë, procedura të kontrollit aplikohen edhe nga pala tjetër kufitare serbe, në pjesën ku edhe janë duke u shkaktuar pritje dhe kolona më të gjata”, thotë ai.
Sipas Hoxhës, pritjet e gjata po shkaktohen gjatë hyrjes në këtë pikë kufitare, tek pala serbe.
Krahas kësaj, ai ka kërkuar nga qytetarët që të përdorin edhe alternative të tjera, respektivisht pika tjera kufitare ku ka më pak pritje. /KP/Telegrafi/