Pas fitimit të medaljes së bronztë në Kampionatin Botëror, ‘Katar 2022’, për futbollistët kroatë organizohen pritje në të gjithë Kroacinë dhe Bosnje-Hercegovinën dhe më mbresëlënësi do të jetë për Josko Gvardiol.
20-vjeçari, i cili mahniti botën me paraqitjet e tij të shkëlqyera në mbrojtje, ka lindur në Zagreb dhe do të ketë një pritje mjaft interesante të mërkurën në qytetin e Novigradit.
Gjegjësisht, babai i Gvardiol, Tihomir, ka lindur në atë qytet të vogël afër Zarës, i cili ka rreth 500 banorë, ndërsa atje ende jetojnë gjyshërit e futbollistit.
Të mërkurën, banorët e Novigradit do ta mirëpresin Joskon dhe kanë përgatitur edhe një dhuratë shumë të pazakontë.
Ata do të pjekin një ka të madh prej rreth 400 kilogramësh dhe siç kanë thënë: “Do të ketë ushqim dhe pije për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që vijnë”. /Telegrafi/