Site icon Telegrafi

UP pritet t’i regjistrojë fëmijët e dëshmorëve

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, sivjet pritet t’i regjistrojë fëmijët që e kanë njërin prind dëshmorë, e të cilët do të bëhen pjesë e listës së kësaj kategorie të paraparë me një memorandum të nënshkruar në mes të UP-së dhe organizatave të dala nga lufta, vite më parë.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, ka thënë në një intervistë për KosovaPress se megjithëse nuk është vendosur ende në Senatin e UP-së, shpreson në një vendim të tillë.

“Përkushtim i imi është që të ju ndihmojë vetëm fëmijëve të dëshmorëve, fëmijëve të cilët e kanë humbur njërin prind, jo të tjerëve – edhe shoqatave të dala nga lufta ua kam shpjeguar këtë koncept timin dhe ata janë pajtuar por varet prej Senatit se a do ta aprovojë”, ka deklaruar rektori.

Rektori Dema ka thënë se deri më tani i ka mbajtur të gjitha premtimet që i ka dhënë dhe shpreson në përkrahjen e Senatit, në mënyrë që ta realizojë këtë vendim.

Universiteti i Prishtinës tash e disa vjet me radhë i ka regjistruar fëmijët, pjesëtarë të kategorive të dala nga lufta në mënyrë të veçantë në bazë të një memorandumi të nënshkruar në mes të shoqatave të këtyre kategorive dhe UP-së.

Vitin e kaluar ky regjistrim ishte ndërprerë duke bërë që asnjë fëmijë-familjarë i dëshmorit apo kategorive tjera të dala nga lufta të mos pranohet.

Këtë vit, rektori Dema ka premtuar se do t’i përkrahë këto kategori duke i respektuar marrëveshjet dhe kriteret që duhet t’i plotësojnë. /kp/

Exit mobile version