Site icon Telegrafi

Pritet të filloj protesta më e madhe e opozitës në Shqipëri

Me mijëra protestues nga e gjithë Shqipëria, janë mbledhur sot përpara kryeministrisë, në Tiranë për të filluar protestën e organizuar nga opozita.

Me këngë patriotike, të kolonës zanore “Skënderbeu”, pritet të filloj protesta më e madhe e organizuar ndonjëherë, e cila është e pesta me radhë për këtë muaj.

Në mesin e protestuesve ka arritur edhe lideri i Partisë Demokratike (PD), si dhe shumë politikan tjerë të opozitës.

Në këtë protestë nuk pritet të ketë fjalime nga liderët e opozitës, por vetëm nga qytetarët.

Ndryshe, rreth 1200 efektivë policie dhe të Gardës së Republikës janë angazhuar në mbarëvajtjen e protestës së kësaj të shtune e organizuar nga opozita përpara Kryeministrisë. Ndërsa, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato RENEA do të jenë të dislokuara në pjesën e pasme të Kryeministrisë.

Ndërkohë në vijën e parë do të qëndrojnë forcat e rendit dhe të njësisë “Shqiponja”. Ata janë të pajisur vetëm me maska kundragaz. Ndërmjet Kryeministrisë dhe Piramidës janë vendosur kordonë që do të pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve si edhe të manifestuesve. Në gatishmëri do të jenë edhe efektivët e shërbimit zjarrfikës.

Policia ka vendosur edhe kamera me rezolucion të lartë. Qëllimi është për të dokumentuar provat materiale nga oficerët e Policisë Gjyqësore nëse manifestuesit do të shkelin ligjin, duke gjuajtur me sende të forta në drejtim të Kryeministrisë.

Për të ruajtur paprekshmërinë e kamerave të sigurisë, policia është kujdesur që shtyllat ku ato janë të instaluar të jenë të lyra me graso. Kjo gjë u bë, që manifestuesit ta kenë të vështirë për t’i dëmtuar kamerat, ashtu siç ndodhi me qendrat e zërit të Policisë së Shtetit në protestën e 16 shkurtit.

Ndërkohë Garda e Republikës do të përdorë gazin lotsjellës nëse do të tentohet të dëmtohet godina e Kryeministrisë apo të ketë veprime që do të cenojnë sigurinë territoriale të saj. /Telegrafi/

Exit mobile version