Site icon Telegrafi

Pritet stabilizim i furnizimit me rrymë

Shumë shpejtë pritet të stabilizohet furnizimi me energji elektrike, pasi që është futur në prodhim edhe blloku A5 i Termocentralit “Kosova A”. Por problem mbetet puna në bllokun B2 të Termocentralit “Kosova B” i cili nuk punon me kapacitete të plota

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka thënë për Telegrafin, se gjendja e furnizimit me energji elektrike është duke u normalizuar. Sipas tij, furnizimi do të stabilizohet shumë shpejtë, pasi janë futur në prodhim edhe blloqe të tjera.

“Brenda një periudhe të shkurtër kohore pritet të stabilizohet plotësisht furnizimi me energji eklektike, pasi KEK-u ka lëshuar në punë njësinë A5 të Termocentralit ‘Kosova A’”, ka thënë Buzhala për Telegrafin

Sipas tij, edhe pse blloku B2 i Termocentralit “Kosova B” është kthyer në sistem ai nuk po punon me kapacitete të plota.

“Vështirësitë janë krijuar pasi njësia B2 është rikthyer në punë mbrëmë pas mesnatës, pak para orës 1 por nuk po punon me kapacitet të plotë. Pra ky bllok është duke prodhuar vetëm 188 megavat për orë, në vend të 250 sa ka kapacitet dhe ishte i planifikuar”, ka thënë zëdhënësi Viktor Buzhala. /Telegrafi/

Exit mobile version