Telegrafi

Pritet seancë e gjatë në Kuvendin e Shqipërisë, diskutohet buxheti dhe porti i Durrësit

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancë plenare ku pritet të jetë një ditë e gjatë për deputetët dhe një seancë e mbushur me tensione për shkak të çështjeve të parashikuara për diskutime.

Në këtë seancë do të diskutohet për kërkesën e bërë nga kryetari i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj për Interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama për përmbytjet në Shkodër.

Pika më e debatueshme e ditës së sotme pritet të jetë projektligji për projektin e investimit strategjik “Marina & jahtet e Durrësit”.

Diskutimet janë parashikuar të zgjasin rreth gjashtë orë, ku siç ka njoftuar më parë kryeministri Edi Rama pritet të japë sqarime të hollësishme lidhur me këtë projekt të kundërshtuar nga e gjithë opozita. /Telegrafi/