Telegrafi

Pritet rritja e çmimit të bukës

Shtrenjtimi i këtij artikulli elementar, nuk është aspak i mirëseardhur për konsumatorët, veçmas ata me të ardhura të ulëta. Por, në pamundësi për të ndikuar në çmim, pasi çmimin e përcakton tregu, ata kërkojnë nga prodhuesit, që të zbatojnë edhe kriteret e cilësisë dhe sasisë.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Furrtarëve dhe Mullisëve, Shefki Ostërgllava, njëherësh pronar i rrjetit të furrave “Sheki”, tha se vendimi për nivelizim të çmimit të bukës, do të ndikojë në eliminimin e parregullsive në treg, por edhe në standardizim të bukës, qoftë sa i përket cilësisë, sasisë, por edhe çmimit.

Përderisa nuk kanë asnjë marrëveshje të shkruar, shumë prodhues edhe sot vazhdonin me çmimet e vjetra. Por, Rexhë Morina, pronar i furrës “EDI”, thotë se do ta rrisin çmimin, për shkak të obligimeve të mëdha.

Shefi i inspektoratit të tregut në komunën e Prishtinës, Ahmet Frangu, paralajmëroi se prej nesër një ekip do të dalë në terren për të kontrolluar sasinë dhe cilësinë e bukës.

Në bazë të ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve, gjobat në rast të mospërmbushjes së cilësisë dhe sasisë së mallit që shitet, sillen prej një mijë deri në 4 mijë euro.

Por, Frangu u shpreh i pakënaqur me punën e gjykatave sa i përket rasteve të shkeljes së të drejtave të konsumatorëve. Ndërkohë kontrollin e furrave do ta bëjnë edhe inspektorët sanitarë, që kërkojnë patjetër që buka të shërbehet me dorëza, por edhe të përdoret ambalazhi, sikurse në të gjitha vendet e botës./rtk.telegrafi/