Telegrafi

Pritet rindërtimi i hekurudhave të vjedhura

Hekurudhat e Kosovës vazhdojnë të jenë në gjendje të keqe. Katër kilometra të hekurudhës në Livadicë të Podujevës janë vjedhur nga qytetarë të pandërgjegjshëm të kësaj zone, ku pjesët e kësaj hekurudhe janë shitur për hekur.

Mirëpo, pjesë ku ka pasur vjedhje, apo janë dëmtuar në forma të ndryshme, pritet të ndërtohen përsëri, raporton KTV.

Sipas drejtorit të Infrakos-it, gjendja e hekurudhave në vend në përgjithësi është e mirë, por dëmtimet në disa pjesë janë evidente.

Sipas një raporti të Bankës Botërore, gjatësia e tërësishme që ka nevojë për rehabilitim të linjës hekurudhore është 190 km dhe kosto e saj do jetë rreth 104 milionë euro, ose 0.54 milion për kilometër hekurudhë.

Në një nga mbledhjet e Qeverisë së Kosovës, kryeministri Isa Mustafa kishte premtuar që vitin e ardhshëm do të investohen rreth 200 milionë euro në hekurudhën Hani i Elezit – Leshak.

Sipas zyrtarëve të Qeverisë, ky investim do të ndihmojë zhvillimin ekonomik dhe financimi i saj do të bëhet nga fonde të ndryshme, transmeton Koha.net.

Por, eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, nuk është optimist për këtë investim, duke qenë se po bëhet në një kohë jo të përshtatshme për buxhetin e Kosovës.