Pas një dite konfuze plot sinjale të përziera mbi tregtinë dhe Iranin, presidenti Donald Trump e nisi raundin final të bisedimeve në samitin e G7-së, i gatshëm t’i jepte një shtysë pozitive axhendës së tij.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë erdhi me një lajm lidhur me frikën e luftës së shumëpërfolur tregtare SHBA-Kinë.
“Nga Pekini më kanë ardhur fjalë se negociatorët e tij janë gati të rikthehen në tryezën e bisedimeve”, tha presidenti amerikan, ndonëse vetëm një ditë më parë, këshilltarët vazhduan të këmbëngulnin se Trumpi nuk heq dorë nga ideja e rritjes së tarifave mbi produktet kineze.
Krejt i ndryshëm ishte skenari i paraqitur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara.
“Kinezët telefonuan e thanë, hajde të kthehemi në tryezën e negociatave, kështu le të kthehemi”, deklaroi Trump.
Shtetet e Bashkuara po përpiqen ta detyrojnë Pekinin të reformojë praktikat e tij tregtare, duke argumentuar se firmat amerikane përballen me një lojë të pabarabartë për shkak të çështjeve të tilla si vjedhja e pronës intelektuale. Por në samitin e G7-së, aleatet e Uashingtonit ushtruan presion mbi Trumpin duke e paralajmëruar se një luftë tregtare kërcënon mbarë ekonominë botërore.
Grindja tregtare mes dy superfuqive u ashpërsua para samitit, pasi qeveria amerikane bëri të ditur se do të rrisë tarifat doganore ndëshkuese për importet nga Kina me 5 për qind. /Telegrafi/