Telegrafi

Priten reshje të dendura shiu në Shqipëri, Ministri Peleshi bën thirrje për kujdes në zonat e rrezikuara

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi njofton sot marrjen e masave për të shmangur dëmet nga reshjet e shiut me intensitet të lartë që parashikohen në ditët në vazhdim.

Në një deklaratë për mediat, ai tha se do të ketë fryrje të lumenjve dhe përrenjve, por përjashtoi mundësinë e përmbytjeve për shkak të mirë menaxhimit të kaskadës së Drinit në veri të vendit.

“Duke nisur nga sot pas mesditës dhe gjatë të gjithë javës, në pjesën veriperëndimore të vendit, rreth Shkodrës, por edhe duke u përhapur në pjesën tjetër të vendit do të kemi rritje të intensitetit të reshjeve”, tha Peleshi.

“Të shmangim emergjencat lokale. Lajmi i mirë është që jemi në stinë që nuk favorizon përmbytje, si dhe mirëmenaxhimi i Kaskadës kështu që s’do të ketë nevojë për shkarkime. Shkarkimi do të jetë zero në të gjithë territorin. Reshjet në pjesën veriperëndimore mund të shkaktojë fryrje të përrenjve dhe ndonjë situatë që mund të bëhet shkak për përmbytje lokale. Shpresojmë që kjo të parandalohet”, tha ministri.

“Duhet të ketë mobilizim të të gjitha bashkive, por edhe banorët të shmangin lëvizjen në rrugë që kërcënohen nga përrenjtë dhe të sinjalizojnë në kohë nëse ka rrëshqitje apo situatë që duhet ndërhyrje. Nuk është një situatë për të cilën duhet ndërhyrja e strukturave të të gjithë sistemit të emergjencave, por e kemi zakon që të lajmërojmë në kohë dhe të marrim masa për të shmangur dëmtimet”, tha Peleshi. /Telegrafi/