Site icon Telegrafi

Prishtinës shtyllat ia mohojnë fitoren ndaj Dukagjinit

Nuk ka sjell fitues dueli i zhvilluar në Klinë mes Dukagjinit dhe Prishtinës që ka përfunduar ashtu siç filloi, pa gola 0-0.

Dukagjini në këtë ndeshje u fut pas ndryshimeve në shtabin teknik, ku u largua Xhengis Rexhepi ndërsa u rikthye në klub Severin Elezaj.

Klinasit e nisën më mirë takimin duke rrezikuar në 12 minutat e para të ndeshjes tri herë Prishtinën.

Altin Lloga, Denis Haliti e Ilir Syla patën raste të mira shënimi, por që nuk ishin të saktë.

Rast të artë për vendasit lëshoi edhe Granit Elezaj në minutën e 25-të, kur gjuajti pranë portës.

E rastin më të mirë për mysafirët e kishte Endrit Krasniqi i cili gjuajti nga distanca mbi portë.

Me rezultatin e barabartë 0-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Pjesa e dytë totalisht i takoi mysafirëve të cilët dominuan duke qëlluar edhe dy herë shtyllën.

Ishte mbrojtësi Labinot Ibrahimi që në minutën 75 e 83 nuk e kishte fatin me veti pasi në dy rastet qëlloi shtyllën.

Raste tjera të mira për Prishtinën në pjesën e dytë patën edhe Alban Shillova e Kreshnik Uka, por pa sukses.

Kësisoj ndeshja përfundoi me rezultat të bardhë 0-0, rezultat që nuk i konvenon asnjërës skuadër.

Dukagjini vazhdon të mbetet e fundit në tabelë me tetë pikë, derisa Prishtina e katërta me 24 pikë. /Telegrafi/

Exit mobile version