Telegrafi

Prishtinë – të akuzuarit për marrje ryshfeti i ashpërsohet dënimi më burgim, dhe i ndalohet ushtrimi i funksionit për 5 vjet

Gjykata e Apelit, më aprovimin e pjesshëm të ankesës së prokurorisë, por edhe sipas detyrës zyrtare, ia ka ashpërsuar dënimin më burgim të akuzuarit G.R.

Kështu, nga 1 vjet burgim sa ishte dënuar muaj më parë, nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për veprën penale “Marrje ryshfeti”, atij i është rritur dënimin në 2 vjet e gjysmë.

“Gjykata e Apelit po ashtu, të akuzuarit ia ka shqiptuar edhe dënimin plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike, në kohëzgjatje prej 5 vjetëve, i cili do të ekzekutohet pas vuajtjes se dënimit me burg. Ndërsa dënimin me gjobë prej 3 mijë eurove, e ka marr si të vërtetuar”, thuhet në njoftimin e bërë nga Gjykata.

Gjykata e Apelit, gjeti se gjykata e shkallës së parë, nuk ka vlerësuar drejtë rrethanat lehtësuese dhe rënduese, dhe kjo ka ndikuar në shqiptimin e një dënimi jo të drejtë, në raport me veprën e kryer.

“Apeli e ka marr si rrethanë rënduese faktin se i akuzuari i ka shfrytëzuar hapësirat e një restoranti për aktivitetin e tij korruptiv. Pastaj si rrethana tjera rënduese janë vlerësuar, pasojat e rënda të veprës penale si dhe pesha e pozitës zyrtare të akuzuarit”, thuhet në njoftim.

Nisur nga këto Apeli vendosi sikur u tha më lartë, me bindjen se dënimi i shqiptuar, është në përputhje me shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit dhe me intensitetin e rrezikimit të vlerave të mbrojtura të shoqërisë. /Telegrafi/