Telegrafi

Prishtinë, qytetarët i djegin kontejnerët, kompania ‘Pastrimi’ nuk ka mundësi t’i zëvendësojë (Foto)

Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi”, Sh.A-Prishtinë njoftoi për gjendjen alarmante e cila është krijuar nga djegia e  kontejnerëve të plastikës që po vazhdon të përsëritet tash e sa muaj në qytetin e Prishtinës.

Më 26 korrik në orët e vona në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, është djegur 1- kontejnerë i mbeturinave, ndërsa 2 kontejnerë të tjerë në rrugën “Fehmi Lladrovci”.

Ndërsa, më 27 korrik janë djegur edhe 6-kontejnerë të tjerë, 1 kontejnerë në rrugën “Galibardi”, ndërsa 5 të tjerë te parkingu mbrapa Postës së Madhe.

“Po ashtu, njoftojmë opinionin publik se dukuria e djegies së kontejnerëve nuk ka të ndalur që nga vendosja e tyre nëpër pikat përkatëse për hedhjen e mbeturinave, të cilët po vazhdojnë të djegën dhe shkatërrohen nga qytetarë të pa përgjegjshëm. Nga kjo gjendje e krijuar në qytet, kompania ‘Pastrimi’, njofton se nuk ka mundësi të bëjë zëvendësimin e kontejnerëve të djegur dhe si rezultat i kësaj qyteti mund të bëhet kaos i mbeturinave”, thuhet në njoftim.

Kompania kërkoi nga qytetarët të jenë të kujdesshëm në ruajtjen e kontejnerëve, ndërsa institucionet kompetente, në bazë të përgjegjësisë së tyre të marrin vendimet e duhura për parandalimin e kësaj dukurie.

Ndryshe, që nga vendosja e kontejnerëve të plastikës, nga fundit i vitit 2016 e deri më tani janë djegur afro 50 kontejnerë të plastikës. /Telegrafi/