Telegrafi

Prishtinë, një burrë dënohet me 7 vjet burg për grabitje

Foto: Arkiv

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit B.K për shkak se në bashkëkryerje e në vazhdimësi ka kryer veprat penale Grabitje dhe Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas njoftimit, i njëjti është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 7 viteve për veprën penale në bashkëkryerje Grabitje, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 04.03.2020 deri me datë 08.12.2022.

Ndërsa, për veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve, gjykata i shqiptoi dënim gjobë në shumën prej 1 mijë euro.

“Sa i përket veprës penale në bashkëkryerje e në vazhdimësi, Grabitje nga neni 317 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPK-së, të njëjtin gjykata e liroi nga akuza, në mungesë të provave”, thuhet në komunikatën për media.

I akuzuari B.K gjithashtu detyrohet që të dëmtuarit S.G t’ia paguajë dëmin në shumë prej 280 euro, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, ndërsa sa i përket të dëmtuarës “Exfis” e njëjta udhëzohet në kontest të rregullt juridiko civil.

“I akuzuari po ashtu detyrohet që të paguajë shpenzimet gjyqësore sipas fletë shpenzimit të kësaj gjykate në shumën prej 500 euro, ndërsa në Fondin e viktimave shumën prej 50 euro. Me aktvendim të veçantë të akuzuarit B.K i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar”, thuhet tutje. /Telegrafi/