Telegrafi

Prishtinë, KMDLNJ viziton të paraburgosurin shtetas të Izraelit i cili është në grevë urie që 29 ditë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, gjatë ditës së sotme ka vizituar të paraburgosurin A. S., shtetas i Izraelit, në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë/Hajvali.

Në njoftimin e bërë për media nga KMDLNJ thuhet se i lartëcekuri u vizitua në dhomën ku po mbahet në paraburgim.

“Për arsye të mospërfilljes sipas pohimit të tij nga ana e gjyqtarit kur është mbajtur seanca i është vendosur masa e paraburgimit është duke mbajtur grevë urie , afërsisht 29 ditë. I njëjti është në gjendje të mirë shëndetësore, vizitohet rregullisht nga stafi mjekësorë i Q. P në Hajvali dhe i njëjti edhe në disa raste është dërguar në Institutin e Forenzikës për kontrolla të nevojshme. Ai u pohoi monitoruesve të KMDLNj-së se ai nuk ka vërejtje në sjelljen e stafit të qendrës, e as në atë shëndetësorë. Është vizituar nga doktoresha dhe merr terapinë me rregull. Ai u ankua në mungesën e informimit në gjuhën që e kupton dhe për ushqimin ngase ai është vegjetarian dhe sipas tij qendra nuk i ka ofruar ushqim vegjetarian. I paraburgosuri është qytetar i huaj, për të cilin është njoftuar ambasada e shtetit përkatës, kurse ambasada e tyre në Beograd ka biseduar me telefon. Ai ka biseduar dhe bisedon në baza të rregullta me familjen”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se i paraburgosuri është informuar me të drejtat që i takojnë.

“Pas intervistimit nga monitorues të KMDLNj –së , Këshilli rekomandon që çdo vend ku mbahen të privuarit nga liria të ketë zyrtar që e flasin rrjedhshëm gjuhën amtare e të arrestuarit , apo nëse kjo nuk është e mundur atëherë ta flasin gjuhën që e kuptojnë e në shumicën e rasteve është gjuha angleze. KMDLNj kërkon që ndaj të paraburgosurit A.S. të ketë mbikëqyrje të shtuar shëndetësore aq më parë që një kohë të gjatë është në grevë urie”, vijon njoftimi.

KMDLNj gjithashtu rekomandon Shërbimin Korrektues të Kosovës që të sigurojë ushqim vegjetarian edhe për ato raste që nuk rekomandohen nga mjeku port se të paraburgosurit deklarohen se janë vegjetarianë. /Telegrafi/