Site icon Telegrafi

Prishtinasit dhe privatësia

Prishtinasit duken që të jenë qytetarët ma të moderuar të botës dhe më të çliruarit nga kodi i privatësisë. Ky opinion të krijohet porsa të shikosh formën dhe stilin e banimit të qytetarëve prishtinas.

Banimi i tyre i ngjan banimeve të hershme kolektive ku synohej vendbanimi afër familjes së gjerë, afër shtëpive vëllazërore që të ruhej lidhja e familjes. Por, me këtë logjikë nuk është dizajnuar apo projektuar banimi i prishtinasve. Me thënë drejtë, banimi është ndërtuar pa asnjë kriter për rehati apo siguri të banueseve, e mos të flasim për kodin e privatësisë. Janë ngritur ngrehina banimi pa e menduar që banuesi nuk do të ndihet as i rehatshëm e as i sigurt.

Përmes bashkëngjitjeve të ngrehinave është zënë edhe mundësia e përçimit të rrezeve diellore brenda banesave. Paramendo që midis verës e vapës së madhe brenda banesës banuesi prishtinas nuk ka mundësi të përfitojë nga ngrohja natyrore nga rrezet e Diellit, sepse janë zënë nga ngrehinat e ngjitura njëra me tjetrën. Shumë habitshëm tingëllon ky fakt apo jo!

E çfarë t’i bëjmë hallit me faktet tjera, kur nga njëra dritare e një banesë shihet banuesi në banesën tjetër. Për ta lehtësuar argumentimin e mëtejshme, mendoj se përshkrimi i jetesës në Prishtinë mund të vihet në spikamë edhe pak më ndryshe, duke e kriposur me komikë të lehtë.

Pra, nga dritarja shihet X banuesi duke qëndruar në banesën e tij. Dhe, përmes dritares mund ta mësosh se çfarë stili të jetës mban, me kënd kalon kohën dhe shoqërohet, çfarë pozicion rri ulur – gjysmë ulur apo në këmbë – çfarë ushqimi përgatit dhe konsumon. Mund ta dëgjosh se me kë bisedon dhe sa herë në ditë i cingëron telefoni, apo çfarë programi në TV përcjellë. Rastësisht, me qëllu programi muzikor, lirshëm mundesh me dëgjuar muzikën e fqinjit dhe mundesh me fillu me vallëzu duke e përcjellë ritmin me përpikëri.

Për të mos u bërë përbuzëse i këtyre të mirave, duhet ta vlerësosh se sa mirë është kur fqinji të kursen nga harxhimi i rrymës për të dëgjuar të njëjtin program të TV-së, e aq ma tepër duhet me ia ditë për faleminderit që të disponon me muzikë edhe në mes të natës, e ndonjëherë deri në mëngjes.

Gatishmëria e fqinjëve për ndihmë është 24 orëshe. Në rast të ndonjë fatkeqësie apo zjarri në ndonjë banesë, nuk ka nevojë të thirren zjarrfikësit, se në gatishmëri janë fqinjët që për njëri-tjetrin sakrifikohen dhe se me kusia e legenë me ujë vijnë e fikin zjarrin. Pa, më thuaj pse të harxhojmë territor për rrugë për zjarrfikësit, kur shumë më shpejt se zjarrfikësit vijnë fqinjët, kurdoherë dhe kudo që paraqitet një nevojë e këtillë.

E mira e të mirave është se këtë stil jete po e kultivojmë me fanatizëm dhe prishtinasit do të bëhen numër një në garë me vendet e zhvilluara, për një stil jetësor unikal. Ky stil shquhet me respektimin e përkujdesjen që bëjnë fqinjët për njëri-tjetrin duke e disponuar deri në mesnatë, si dhe duke i kursyer nga shpenzimet e dyfishta, edhe për nevoja më emergjente, si për zjarrfikësit, por mos të harrojmë se ka edhe benificione tjera me ketë stil.

Në rast se të duket e pamjaftueshme kjo përkujdesje nga fqinjët, atëherë mundesh të krijosh miqësi dhe të bisedosh përmes dritares apo ballkonit dhe t’i ndani hallet bashkërisht. Afërsia e hapësirës mes banesave të krijon kushte që të zhvillosh edhe biseda konspirative, pa u brengosur që zbulohesh nga anëtarët tjerë bashkëbanues, sepse ata janë në dhomë tjetër që gjendet më larg se dritarja apo ballkoni i fqinjit. Kësaj i thonë privatësi e vërtet!

Kjo miqësi dhe formë e privatësisë sapo vjen e po trashet në mes qytetarëve të thjesht prishtinas, por disi po ndjehet mungesa e kryeudhëheqësve për të participuar në këtë lidhje të miqësisë. Kjo mungesë po na lëndon shpirtin. Siç duket kryeudhëheqësit kanë mbetur të pastrehuar në këto banesa dhe pa ndarjen e të mirave të përbashkëta sikurse gjithë prishtinasit e tjerë.

Kjo është padrejtësi!

Për ta luftuar këtë padrejtësi dhe shkelje flagrante, duhet të merren masa korrektuese dhe duhet të dërgojmë ftesa publike e me prioritet për kryeudhëheqësit tanë që të na bashkëngjiten se ne si qytetarë nuk po mundemi me i shfrytëzu këto të mira pa ia dhanë një hise edhe atyre që na i ato. Ne duam ndarje proporcionale të të mirave!

Shpejtoni të ndërmerrni masa që mos të diskriminohen krye-udhëheqësit e këtij projekt të mahnitshëm për jetesë të sigurt e të rehatshme të prishtinaseve me privatësi në vakum.

 

Exit mobile version