FC Prishtina ka zgjedhur kapitenin e ri, pasi largimit të Armend Thaqit dhe Visar Bekajt.
Prishtinë në fushë do t’i prijë Lorik Boshnjaku, që është në klub tash e pesë vite.
Boshnjaku, aktualisht 25 vjeç, ka regjistruar 145 ndeshje zyrtare dhe është larg futbollisti aktiv me më së shumti paraqitje për këtë klub.
“Ky kampionat duket më ndryshe dhe më atraktiv se viteve të kaluara, gjithashtu shoh një Prishtinë më të fortë dhe më të mobilizuar në çdo aspekt. Ndeshja me Drenicën si ndeshje e parë e kampionatit e pres të fillojmë me këmbë të mbarë”.
“Por, përballjet me Drenicën nuk janë asnjëherë të lehta. Megjithatë ne jemi të fokusuar maksimalisht që të japim gjithçka nga vetja”.
Boshnjaku ndjehet krenar që do ta bartë shiritin e kapitenit te Prishtina.
“Ndërsa, sa i përket shirit të kapitenit, dua të falënderoj të gjithë për besimin e dhënë, pa kursyer askënd. Për mua është privilegj të jem kapiten i ekipit të klubit më të madh në vend. Janë gjashtë vite që jam pjesë e klubit dhe kjo nuk është pak. Tash më e di sa rëndon fanella e ekipit e sidomos ajo e shiritit të kapitenit. E di që e kam mbështetjen e të gjithëve, prandaj me kënaqësi e kam pranuar këtë rol aspak të lehtë dhe shpresoj t’ua shpaguaj besimin”, ka thënë kapiteni i ri i skuadrës, Lorik Boshnjaku. /Telegrafi/