Në fakt, ardhjen e organizuar e kanë paralajmëruar edhe tifozët e Trepçës ’89 “Torcida”, dhe kjo e bën më joshës derbin, aq më parë pasi të dy rivalët llogariten si konkurrentë më të mëdhenj, për të mos thënë të vetmit për titullin e kampionit.
Në radhët e Prishtinës sikur nuk shihet ndonjë risi e as përgatitje e posaçme. Kryetrajneri Afrim Tovërlani me shtabin teknik dje paradite ka zhvilluar seancën e fundit para ndeshjes, kurse në konferencë për shtyp u paraqitën ndihmëstrajneri, Ali Osmani, dhe mesfushori, Azem Ahmeti.
“Kemi pasur më të mjaftueshme për përgatitje dhe jemi mobilizuar shumë për këtë takim në të cilin synojmë fitore, pasi që ajo në këtë moment na duhet shumë. Trepça’89 është skuadër solide me futbollistë cilësor dhe është tejet e rrezikshme sidomos nga goditjet standarde, por arma jonë kryesore është loja kolektive, e cila shpresoj se kësaj radhe do të dal më e suksesshme dhe nuk dyshoj se pikët e plota do të mbeten në Prishtinë”, tha Osmani, duke bërë me dije se skuadra do të paraqitet në përbërjen e saj më të mirë pasi tashmë janë kthyer Azem Ahmeti e Argjend Malaj.
Osmani apelon te shikuesit që të sillen në mënyrë korrekte pasi “është momenti i fundit që tifozët ta kuptojnë ndeshjen si një lojë e jo më shumë dhe që t’i rregullojnë raportet në mënyrë që të gjithë që e përcjellin ndeshjen të mos kenë telashe pavarësisht se ku zhvillohet ajo”. Optimist për fitore është edhe Ahmeti i cili nuk dëshiron të merret me përbërjen e mitrovicasve.
“Jemi mjaft të relaksuar dhe kërkojmë rezultat pozitiv, i cili jam i bindur se do të vjen pas lojës së mirë dhe angazhimit maksimal. Nuk më intereson se në çfarë përbërje paraqitet Trepça’89, pasi ne merrem vetëm me lojën tonë. Nëse arrijmë të aplikojmë atë çka kërkohet nga ne, atëherë nuk ka dyshim se do ta fitojmë ndeshjen”, tha Ahmeti.
As Trepça’89 nuk ka bërë stërvitje të posaçme para kësaj ndeshje, pasi rivalët njihen aq shumë, sa që nuk ka se çka të fshehin. Shumë futbollistë që më parë kanë luajtur për Trepçën ’89 tani janë pjesë e Prishtinës dhe anasjelltas.
“Do të kërkojmë fitore, por edhe barazimi është i pranueshëm, kur dihet se përballë kemi një skuadër cilësore siç është Prishtinës, e cila na motivon shumë dhe e cila nuk do të jetë si me Ferronikelin, pasi edhe futbollistët e saj ndryshe motivohen kundër Trepçës‘89 ”, tha kryetrajneri i Trepçës ’89 Gani Sejdiu, i cili nuk mund të llogaris në shërbimet e Fetim Kasapit, Petrit Osmanit e Blerim Berishës.
Superliga – java e tretë:
E shtunë:
Trepça – Besa 2-0
E diel, nga ora 17:00:
Prishtina – Trepça ’89
Hysi – Ferronikeli
Drita – Ferizaj
Hajvalia – Fushë Kosova
Llamkos Kosova – Drenica
/Zëri/Telegrafi/