Site icon Telegrafi

Prishtina vazhdon formën e lartë, mposht edhe Llapin

Prishtina ka marrë një fitore komode me rezultat 2-0 në shtëpi ndaj Llapit në ndeshjen e vlefshme për javën e 13-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Ekipi i Ismet Munishit ka vazhduar formën e lartë në kampionat, duke marrë edhe fitoren e tretë radhazi, pas triumfit ndaj Llapit në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të hapur nga të dyja skuadrat, por me vendasit më kërkues duke krijuar më shumë dhe duke shënuar edhe një gol.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 37-të me lojtarin e momentit, Leutrim Kryeziun, i cili shënoi për 1-0 pas një aksioni model që në fund u asistua nga Kreshnik Uka.

Në pjesën e dytë, përsëri Prishtina ishte skuadër për një nuancë më e mirë duke e dashur më shumë fitoren dhe përveç menaxhimit të lojës, krijoi edhe raste tjera dhe shënoi edhe një gol të sigurisë.

Goli i dytë erdhi në minutën e 85-të me anë të Endrit Krasniqit, i cili vulosi fitoren me rezultat përfundimtar 2-0 pas asistimit të dytë personal të Ukës.

Pas kësaj fitore, Prishtina e sheh veten në pozitën e tretë me 21 pikë, ndërsa Llapi zë vendin e gjashtë me 13 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, kryeqytetasit udhëtojnë te Ballkani, teksa llapjanët e presin në shtëpi Dritën. /Telegrafi/

Exit mobile version