Lajmin e ka konfirmuar për gazetën drejtori i klubit prishtinas, Sokol Krasniqi.
“Krasniqi, Mushica, Kukaj dhe Kuka i kanë rinovuar kontratat me klubin dhe ata do të luajnë për Prishtinën edhe në edicionin e ri. Rinovimet kanë qenë 1-vjeçare”, deklaroi Sokoli për Arenën.
Futbollisti i vetëm që ka mbetur pa rinovim është mbrojtësi i majtë që erdhi në afatin kalimtar dimëror nga Suedia, Liridon Leci.
“Prej të gjithëve, vetëm Leci nuk ka rinovuar ende. Jemi në bisedime me të dhe të shohim se çfarë do të ndodhë”, shtoi Krasniqi, i kënaqur me ndaljen e bazës së ekipit.
Kuka: Qëndrova për të fituar
Njëri prej futbollistëve të Prishtinës që vazhdimisht u lidh me një kalim të mundshëm në futbollin e Shqipërisë, Viktor Kuka, është shprehur i kënaqur me rinovimin e kontratës.
“E kam rinovuar kontratën me Prishtinën edhe për një vit dhe normalisht që jam i kënaqur”, tha fillimisht ai për gazetën Arena, duke i shprehur tutje rrufeshëm ambiciet e mëdha që i ka me fanellën bardhekaltër këtë edicion. “Këtë sezon do të luajmë për të fituar gjithçka pasi që edicionin e kaluar kemi dështuar. Jam shumë optimist që do të marrim rezultate pozitive dhe t’i arrijmë objektivat e klubit”, shtoi Kuka. Ndryshe, ai ka pasur një edicion shumë të mirë me Prishtinën, duke luajtur edhe në qendër të mbrojtjes e edhe në krahun e djathtë. Kuka është paraqitur 29 herë me kryeqytetasit në edicionin që lamë pas, ku në 28 raste ka qenë titullar.
Numrat e katërshes në edicionin e kaluar
Kushtrim Mushica: 30 paraqitje, 30 herë startues – 1 karton të kuq
Liridon Kukaj: 23 paraqitje, 22 herë startues – 10 kartonë të verdhë, 3 të kuq
Viktor Kuka: 29 paraqitje, 28 herë startues – 9 kartonë të verdhë
Driton Krasniqi: 25 paraqitje, 24 herë startues – 6 gola – 6 kartonë të verdhë. /Tribuna/Telegrafi/