Telegrafi

Prishtina me triumf bindës ndaj Malishevës

(Foto: Facebook/FC Prishtina)

Prishtina ka marrë pikë të plota ndaj Malishevës (4-2) në ndeshjen e vlefshme për xhiron e shtatë në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll, e cila u zhvillua në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan pa shikues.

I asistuar nga Endrit Krasniqi, Mendurim Hoti e hapi serinë e golave që në fillim të takimit.

Bardhekaltrit e dyfishuan avantazhin përmes Kreshnik Ukës (27’), i cili u asistua nga Marclei Santos, teksa Endrit Krasniqi shënoi golin e tretë nga penalltia (34’).

Alban Shillova e ngushtoi rezultatin për mysafirët (39’), mirëpo kryeqytetasit shënuan edhe golin e katërt para se të shkonin në pushim (45’+2), realizues i të cilit ishte Kushtrim Gashi që shënoi me kokë, pas harkimit nga Endrit Krasniqi.

 

Një tjetër gol për vizitorët e realizoi Fiton Hajdari (85’) kur po afrohej fundi i takimit.

Pas këtij triumfi, Prishtina ka 11 pikë në vend të tretë, tri më pak se liderët Drita dhe Gjilani, derisa Malisheva numëron shtatë pikë në vend të pestë. /Telegrafi/