Telegrafi

Prishtina tregon fuqinë përballë kampionit norvegjez, kryeqytetasit marrin një fitore të madhe ndaj Bodo/Glimt

Prishtina ka marrë një fitore të madhe në ndeshjen e parë të raundit të tretë të Ligës së Konferencës.

Kampioni në fuqi i Kosovës ka triumfuar ndaj kampionëve të Norvegjisë me rezultat të ngushtë 2-1.

Ndeshja filloi më mirë për skuadrën mysafire që krijoi disa raste të rrezikshme.

E vetëm pas 10 minutave lojë, Bodo/Glimt kaluan në epërsi.

Sulmuesi anësor Solbakken harkoi bukur në zonë nga e majta, derisa topin në portë e dërgoi Botheim për 0-1.

Por përkundër disavantazhit, prishtinasit nuk u dorëzuan dhe zhvilluan një ndeshje të mirë.

E në minutën e 44-të ishte sulmuesi nigerian Otto John që shënoi me kokë për të barazuar shifrat në 1-1.

Kësisoj me rezultatin e barabartë 1-1 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Mysafirët krijuan më shumë raste edhe në pjesën e dytë, por pa sukses përballë mbrojtjes së fortë të prishtinasve.

E në minutën e 82-të, Prishtina kaloi për herë të parë në epërsi.

Qendërmbrojtësi Marius Lode në tentim për ta rikthyer topin te portieri shënoi autogol për ta kaluar kampionin kosovar në epërsi.

Deri në fund të ndeshjes, vendasit u mbrojtën mirë dhe kësisoj morën një fitore të madhe.

Ndeshja e kthimit mes Bodo/Glimt dhe Prishtinës zhvillohet pas një jave në Norvegji. /Telegrafi/