Të dy ekipet hynë në këtë takim me disa ndryshime, vlen të përmendet fakti se të dy ekipet kishin ndërruar trajnerët e tyre. Vëllaznimi ka angazhuar trajnerin Malsor Gjonbalaj, kurse Prishtina, Afrim Tovërlanin dhe që të dy trajnerët në ndeshjet e tyre të para kishin pësuar disfata.
Loja filloi menjëherë me intensitet të lartë dhe që në minutat e para të takimit lojtarët e Vëllaznimit patën disa raste shënimi. Në minutën e 8-të pas një krosimi në zonë Gjergj Bushaj u gjend ballë për ballë me portierin Mushica, dhe nga një distancë pesë metra nuk arriti të shënojë.
Prishtina nuk mundi asnjëherë ta shfaqte lojën e saj në pjesën e parë, ndërsa sulmet e Vëllaznimit vazhduan edhe më tej por pa konkretizime, kështu edhe mbaroi pjesa e parë me rezultat të barabartë.
Në fillim të pjesës së dytë, për Prishtinën u aktivizua Mentor Mazrekaj, në vend të Gentrit Begollit, i cili nuk ishte në formën e tij më të mirë. Ky doli të ishte zëvendësim i qëlluar nga Tovërlani, pasi shumica e sulmeve të Prishtinës në pjesën e dytë u nisën nga ky lojtar, që sa herë e merrte topin driblonte së paku dy lojtarë të Vëllaznimit.
Në minutën e 66-të pati hedhje të mjeteve piroteknike në fushë nga “Kuqezinjtë e Jakovës” dhe ndeshja u ndal për dy-tre minuta derisa u pastrua tereni.
Vlen të përmendet se në minutën e 79-të Viktor Kuka u rrëzua në gjashtëmbëdhjetëmetërsh nga një ndërhyrje nga prapa që duhej të ishte penalti, por gjyqtari kryesor Fatmir Tahiri nuk e akordoi.
Goli i vetëm i takimit erdhi në minutën e 85-të, kur pas një krosimi në zonë, i vetmuar u gjend qendërmbrojtësi i Prishtinës, Liridon Kukaj, i cili shënoi golin e tij te dytë këtë sezon.
Pak para përfundimit të takimit Mazrekaj pati një goditje të mirë nga distanca por nuk e qëlloi portën, dhe kështu përfundoi ky takim me fitoren e Prishtinës, e cila tani ka grumbulluar 26 pikë. /Telegrafi/