FC Prishtina duket se ka vendosur t’ia shlyej borxhin trajnerit Ramiz Krasniqi. Burime të afërta të “Sporti 1” me ekipin “bardhekaltër” bëjnë të ditur se ai qysh tashti ka filluar të përgatitet për sezonin e ri dhe si pjesë e riorganizimit të tij do të jetë edhe emërimi i shefit të ri të shtabit teknik.
FC Prishtina disa vite më parë kishte bërë një padrejtësi ndaj trajnerit Krasniqi duke e shkarkuar në mes të sezonit, kur ekipi ishte në vend të parë të tabelës dhe pranë stolisjes me titullin kampion.
Krasniqi aktualisht është trajner i Ferronikelit, por vetëm deri në fund të këtij sezoni, kur pritet të largohet në drejtim të bankinës “bardhekaltër”, pjesë e të cilës ishte edhe më herët. Ndryshime në radhët e FC Prishtina pritet të ketë edhe në kuadrin e lojtarëve, pas një sezoni jo të mirë të kaluar.
Prishtina gjashtë javë para mbylljes së garave në Superligë radhiten në pozitën e 3-të të tabelës, me 7 pikë më pak se lideri Llamkos Kosova. /KP/Telegrafi/