Site icon Telegrafi

Prishtina stërvitje me Vëllaznimin

Prishtina e nisi shumë mirë këtë takim me pasime të sakta dhe aksione vërtetë të bukura për adhuruesit e futbollit. Që në start pas një kombinimi të bukur të Gentrit Begollit dhe Labinot Ibrahimit, ky i fundit doli i vetmuar para portës së Vëllaznimit por qëlloi drejt në duart e portierit.

Nuk kaloi shumë kohë dhe pas një asistimi të bukur të Azem Ahmetit, ballë për ballë me portierin u gjend Astrit Fazliu i cili shënoi poshtë këmbëve të portierit Muhaxhiri (4’).

Në vazhdim të pjesës së parë ra disi intensiteti i lojës ndoshta edhe për shkak të nxehtit të madh që po mbretëronte. Me epërsi minimale përfundoi pjesa e parë.

Mirëpo, në pjesën e dytë Afrim Tovërlani futi në lojë Liridon Latifin dhe Florim Berbatovcin të cilët e ndryshuan rrjedhën e këtij takimi.

Pas një sllallomi të vërtetë, duke i kaluar tre lojtarë të Vëllaznimit, epërsinë e ngriti Liridon Latifi (59’).

Në minutën e 75-të, Latifi depërtoi nga krahu i majtë dhe dërgoi një harkim të bukur në zonë, të cilin e konvertoi në gol Florim Berbatovci.

Golin e katërt për vendasit e shënoi Mentor Mazrekaj i cili mposhti dy lojtarë të Vëllaznimit dhe shënoi bukur me të majtën (87’).

Në minutën e fundit të takimit në skenë doli edhe një herë Lirdion Latifi me një depërtim të bukur nga e majta, duke asistuar përsëri te Berbatovci i vetmuar i cili shënoi lehtë për rezultatin përfundimtar të takimit (90’).

Rezultatet e javës së 27-të:

Prishtina : Vëllaznimi 5-0
Trepça 89 : Liria 2-1
Besa : Drenica 4-0
Hysi : Llamkos Kosova 1-1
Drita : Ferronikeli 1-1

Trepça-Hajvalia 2-2

/Telegrafi/

Exit mobile version