Palestra e rinovuar e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve dukej më e bukur se kurrë më parë, teksa Plisat e kishin mbushur atë përplot për ta përkrahur ekipin e tyre të zemrës në këtë ndeshje derbi.
Ndeshja filloi me një nervozizëm tek të dyja palët pasi që për 2 minuta e 8 sekonda nuk shënuan asnjë pik. Sidoqoftë, Blerim Mazreku e hapi serinë e pikëve për bardhekaltërit, pastaj Jones dhe Waller bombarduan me trepikësha. Mazreku tejet i disponuar për lojë nuk u ndal me kaç, ai shënoi 11 pikë gjatë çerekut të parë, për ta ngritur epërsinë e vendasve në 11 pikë, 21-10.
Për t’ia vështirësuar situatën Kumanovës edhe më shumë, u përkujdes Alban Veseli që e hapi çerekun e dytë me një trepikësh, dhe jo vetëm. Pas tij, në skenë u shfaq kush tjetër pos snajperistit Dardan Berisha, i cili kreu ‘gjenocid’ nga zona e trepikëshave duke i shënuar tre sosh. Mysafirët në anën tjetër bënin shumë gabime në sulm, të cilat i shfrytëzuan bardhekaltërit me kundërsulme të shpjeta për ta ngritur edhe më tej epërsinë në 18 pikë, 43-25.
Kapitullimin e Kumanovës e nënshkroi Kendrick Jones në çerekun e tretë me disa shënime të njëpasnjëshme për ta ngritur epërsinë deri në 28 pikë epërsi, 65-37.
Çereku i katërt u zhvillua më shumë për hir të protokollit sepse bardhekaltërit tashmë e kishin siguruar fitoren. Kjo i dha mundësi trajnerit të Sigal Prishtinës, Ceyhun Cabadak, që ta inkuadrojë të riun Fisnik Rugova, i cili luajti mjaftë bukur dhe morri duartrokitjet e publikut. Rezultati përfundimtar i këtij takimi ishte, 75-60.
Kjo ishte fitorja e gjashtë e Sigal Prishtinës në Ligën Ballkanike, me të cilën ka tubuar 15 pikë dhe renditet në vendin e dytë pas Kumanovës (16) që ka një ndeshje më shumë.
Koshashënuesit më të mirë të Sigal Prishtinës: | ||
1 | Kendrick Jones | 16 pikë |
2 | Blerim Mazreku | 13 pikë |
3 | Dardan Berisha | 11 pikë |
4 | Aurimas Kieza | 9 pikë |
Koshashënuesit më të mirë të Kumanovës: | ||
1 | Vukasin Mandic | 13 pikë |
2 | Royce Parran | 13 pikë |
3 | Ivan Miskovic | 11 pikë |
4 | Uros Lukovic | 7 pikë |