Indeksi i cilësisë së ajrit mbrëmë në Prishtinë ka arritur vlerën prej 493 (rrezikshëm për shëndet), kurse sot indeksi i cilësisë së ajrit është 38 (tepër pastër).
Për këtë kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se dallimi kryesor i situatës prej mbrëmë deri sot janë parametrat e shtypjes atmosferike dhe lagështisë të cilat i mbajnë grimcat e ndotjes në lartësi të ulët të cilat e bëjnë të vështirë frymëmarrjen.
Ai në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se ndotja duhet të luftohet gjatë gjithë vitit dhe është politikë afatgjate.
Lexoni të plotë postimin e tij në Facebook:
Indeksi i cilësisë së ajrit mbrëmë ka arritur vlerën prej 493 (rrezikshëm për shëndet)
Sot, indeksi i cilësisë së ajrit është 38 (tepër pastër).
Dallimi kryesor i situatës prej mbrëmë deri sot janë parametrat e shtypjes atmosferike dhe lagështisë të cilat i mbajnë grimcat e ndotjes në lartësi të ulët të cilat e bëjnë të vështirë frymëmarrjen.
Ndotja duhet të luftohet gjatë gjithë vitit dhe është politikë afatgjate, dhe nga viti i kaluar janë ndërmarr këto masa
- Zgjidhja afatgjate për përdorimin e qymyrit për ngrohje është ngrohja qendrore dhe kogjenerimi. Kjo mund të bëhet me dyfishimin e kapaciteteve të kogjenerimit në KEK. Kosto e instalimit të pajisjeve -24.8 milionë euro dhe vendimi politik. Pastaj vjen edhe kosto e zgjerimit të rrjetit në dhjetëra miliona euro. Momentalisht Termokos është në proces të tenderimit të zgjerimit të rrjetit aktual dhe kapaciteteve aktuale. BE ka zotuar edhe 13 milionë për dyfishimin e kapaciteteve. Me vullnet politik dhe financim brenda 5 – 7 viteve do të mund të kyçet krejt qyteti në rrjet.
- Investime në transportin publik dhe mbyllje graduale e disa rrugëve në qendër. Janë investuar mbi 11 milion euro në transport publik por kjo nuk mjafton. Tani kalojmë në fazën e investimeve në sektorin privat.
- Investime në eficiencë të energjisë. Tani kemi ndërruar më shumë se gjysmën e ndriçimit publik në LED dhe do të vazhdojmë edhe më tutje. Së shpejti nënshkruajmë fazën e dyte të investimeve në ndërtesat publike për të zvogëluar konsumin e energjisë elektrike.
- Kemi bërë investimet nëpër shkolla dhe institucione tjera dhe më nuk ka institucione që ngrohen me qymyr.
- Rritja e hapësirave të gjelbra – kemi shtuar numrin e drunjve që mbjellim për çdo vjet në 7 mijë. Po investojmë nëpër parqe për të shtuar edhe më tutje hapësirat.
Niveli qendror
- Duhet të ketë edhe më tutje investime në filterët e disa prej gjeneratorëve në KEK. Sivjet për herë të pare është ndaluar dhënia falas e qymyrit për punëtorët e KEK.
- Duhet të sigurohen investime për të ndaluar ngrohjen me qymyr në institucionet shkollore në gjithë territorin e Republikës.
- Duhet që as mos të na shkojë mendja në importimin e veturave më të vjetra se 10 vite.
Për shtypje atmosferike e lagështi nuk kemi çka bëjmë por për tjerat janë zgjedhje e vendime që ne si qytetarë i marrim gjatë gjithë vitit”. /Telegrafi/