Prishtina ka shënuar fitore me rezultat 3-1 në udhëtim ndaj Malishevës në kuadër të javës së nëntë në elitën e futbollit kosovar.
Të parët që morën avantazhin ishin vendasit të cilët ia dolën të kalojnë në epërsi që në minutën e tretë me Drilon Hazrollajn që shënoi për 1-0.
Sidoqoftë, ky gëzim i malishevasve nuk zgjati shumë, pasi Prishtina reagoi menjëherë.
Kryeqytetasit arritën të realizojnë me anë të Sunday Akinbules i cili në minutën e shtatë shënoi për të barazuar shifrat në 1-1.
Pak çaste pa përfunduar pjesa e parë, Prishtina ia doli ta gjejë golin e dytë dhe atë të rikthimit me Dion Gallapenin që shënoi për 2-1 pas asistimit të Albin Krasniqit.
Në pjesën e dytë, të besuarit e Jean Cavallit e gjetën rrjetën edhe një herë tjetër, këtë herë përmes Leonat Vitijës që në minutën e 76-të realizoi për 3-1.
Vlen të përmendet se pak minuta para se mysafirët të shënonin golin e tretë, Malisheva mbeti me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit me karton të kuq të Agon Xhakës.
Pas javës së nëntë, Prishtina kalon në pozitën e dytë në tabelë me 16 pikë të grumbulluara por me një ndeshje më pak të luajtur, ndërkohë Malisheva ende mban pozitën e parë në tabelë me 17 sosh, të paktën deri pas përfundimit të të gjitha ndeshjeve./Telegrafi/