Telegrafi

Prishtina rikthehet te fitoret, triumfon lehtësisht ndaj Trepçës ‘89

Prishtina është rikthyer te fitoret, teksa ka triumfuar në kryeqytet 4-2 ndaj Trepçës ’89.

Vendasit ishin më të mirë në fushë që nga fillimi deri në fundin e saj, ndërsa golin e parë e gjetën në minutën e 12-të.

Sabjen Lilaj që u rikthye nga lëndimi shënoi nga penalltia për ta kaluar Prishtinën në epërsi 1-0.

Vetëm 15 minuta më vonë, Prishtina shënoi edhe golin e dytë, kur kësaj radhe realizoi sulmuesi gjilanas Leutrim Kryeziu për 2-0.

89-shi ngushtoi rezultatin në 2-1 në minutën e fundit të pjesës së parë kur realizoi Bismark Sie.

Edhe në pjesën e dytë vazhdoi dominimi i Prishtinës, kur realizuan dy gola të tjerë brenda katër minutave.

Fillimisht Besnik Krasniqi me një super gol në minutën e 63-të ngriti epërsinë e vendasve në 3-1, ndërsa Guathier Mankenda katër minuta më vonë shënoi për 4-1.

Krejt çfarë bën mysafirët deri në fund ishte një tjetër gol i shënuar me anë të Arbnor Mujës për rezultatin përfundimtar 4-2.

Me këtë fitore Prishtina ngjitet në vendin e katërt në tabelë me 18 pikë të grumbulluara pas 12 ndeshjeve të luajtura.

Ndërkohë Trepça ’89 mbetet e teta në tabelë me 14 pikë. /Telegrafi/