Mesfushori Kushtrim Gashi dhe FC Prishtina kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi dhe kanë nënshkruar kontratë të re dy-vjeçare.
29-vjeçari i bashkohet FC Prishtinës pas tre viteve shumë të suksesshme te skuadra e Ballkanit ku e ka fituar titullin kampion.
Gashi në karrierën e tij ka luajtur edhe për Besën e Pejës, Vëllaznimin e Gjakovës dhe Istogun.
Mesfushori u shpreh shumë i lumtur që iu bashkua Prishtinës derisa për faqen zyrtare të klubit, FC Prishtina, thotë se i është bashkuar ekipit më të madh në Kosovë.
“Emocionet e para? Sigurisht se ndjehem shumë i lumtur që jam bërë pjesë e Prishtinës, dhe ndjej përgjegjësi shumë të madhe që ta bartë fanellën e ekipit “bardhekaltër”.
“Synimet? Prishtina është klubi më i trofeshëm në Kosovë dhe duke e parë riorganizimin që është bërë brenda klubit sikurse në shtab teknik, staf dhe lojtarë, vendosa që edhe unë të bëhem pjesë e këtij projekti shumë të rëndësishëm dhe serioz”.
“Prishtina është klub që nuk i duron pozitat e tjera në tabelë përpos atyre në krye. Prishtina gjithmonë “lufton”dhe do të “luftojë” për trofe”.
““Plisave” iu premtoj se do ta jap maksimumin në stërvitje dhe ndeshje ashtu siç kam bërë edhe në ekipet e tjera ku kam luajtur. Do të luftojmë për “Plisat” dhe do të festojmë së bashku pasi që ata janë lojtari ynë i 12-të”, ka thënë ai.
Prishtina edhe pse ka transferuar disa lojtarë në afatin kalimtar veror, Kushtrim Gashi pa dyshim është transferimi më i madh i ish kampionëve. /Telegrafi/