Telegrafi

Prishtina pret Drenicën në kryeqytet, Besa rikthehet në Superligë dhe në javën e parë përballet me Ballkanin

Java e parë në elitën e futbollit kosovar nisi me takimin Trepça ’89 – Arbëria.

Skuadra debutuese në Superligë, Arbëria e nisi mbarë duke marrë një fitore të madhe në udhëtim 0-2.

Ndërkohë në ditën e sotme (e shtunë) në program janë dy ndeshje për tu zhvilluar.

Prishtina në stadiumin Fadil Vokrri do të nis garën për titull, ku përballë ka Drenicën në xhiron e parë.

Bardhekaltërtit me ndryshime në shtabin teknik dhe me disa përforcime cilësore synojnë fitore, teksa Drenica si një kundërshtar i papërshtatshëm udhëton drejt kryeqytetit për të shkaktuar befasi.

Ndeshja tjetër e ditës së sotme do të zhvillohet në Brestovik të Pejës.

Gjiganti kosovar, Besa e Pejës është rikthyer në elitë, teksa do të jetë nikoqire e Ballkanit në stadiumin me bari sintetik në Brestovik, pasi stadiumi i qytetit në Pejë është në rinovim e sipër.

Pejanët që kanë mbajtur shumë sekret ardhjet e reja në klub do të tentojnë ta befasojnë Ballkanin që është përforcuar shumë dhe synon të fitojë trofe këtë vit.

Të dyja takimet e ditës së sotme zhvillohen me fillim nga ora 16:00. /Telegrafi/