Për Sigalin dhe përgjithësi basketbollin kosovar, kjo do të jetë ndeshja e parë zyrtare në arenën ndërkombëtare që do të luhet në parketet kosovare.
Prandaj ekipi bardh e kaltër është maksimalisht i përgatitur që kjo ndeshje historike të jetë njëherit edhe një fitore historike.
“Jemi maksimalisht të përgatitur. Loja është mjaft e rëndësishme duke pas parasysh edhe faktin se është ndeshja e parë para publikut tonë. Megjithatë, nuk kemi aspak presion përkundrazi jemi plot vetëbesim dhe të motivuar për të vazhduar me fitore”, ka thënë qendra bardhekaltër, Blerim Mazreku.
Qendra prishtinase ka thënë se e kanë studiuar mirë lojën e kundërshtarit dhe i njohin dobësitë e tyre.
“Kemi pa disa lojëra të kundërshtarit dhe mund të them se i njohim pak a shumë. Nuk janë të nivelit tonë dhe besoj se nuk do ta kemi problem për t’i mposhtur”, ka shtuar Mazreku.
Në anën tjetër një tjetër sfidë për drejtuesit e Sigal Prishtinës do të jetë edhe organizimi i ndeshjes duke pasur parasysh që kjo është hera e parë që po organizojnë një ndeshje zyrtare ndërkombëtare.
“Kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe mendoj se jemi të gatshëm për lojën ndaj Ballkanit. Duke pas parasysh faktin se është hera e parë që organizojmë ndeshje të nivelit të tillë, mendoj se edhe ndonjë lëshim eventual duhet të na falet.
Një problem të cilin mund ta theksoj është ai me nxemjet në palestër, të cilin besoj se me kohë do ta përmirësojmë.Po ashtu me tifozët jemi në kontakt dhe besoj se me sjelljen e tyre në ndeshjen ndaj Pejës, ata kanë treguar se janë shembull i tifozërisë” ka thënë drejtori gjeneral i Sigal Prishtinës, Florian Miftari.
Për atmosferë si zakonisht do të përkujdesen “Plisat” të cilët kanë premtuar një koreografi të pa parë më herët në vendin tonë. “Qysh prej ndeshjes ndaj Kumanovës jemi duke u përgatitur për këtë ndeshje. Mund t’iu them se do të jetë një koreografi e pa parë ndonjëherë në vendin tonë”, tha prijësi i “Plisave”, Albert Kastrati. /Zëri/Telegrafi/