Telegrafi

Prishtina përmbyll vitin me suficit dhe bartje mjetesh buxhetore

Suficiti në Komunën e Prishtinës është i pakontestueshëm. Këtë fakt, pos opozitës, e pranojnë jozyrtarisht edhe vetë autoritetet komunale të Prishtinës

“Duke pasur parasysh që ka kohë edhe disa ditë për t’u shpenzuar buxheti në investime kapitale, jemi të bindur që në fund të vitit nga të hyrat për investimeve kapitale si grante qeveritare do të teprojnë rreth një milion euro e gjysmë si suficit”, i ka thënë “Kohës Ditore”, të martën, një burim nga Komuna, pa dashur që t’i përmendet emri. Sipas tij, një suficit i tillë i kishte mbetur për çdo vit edhe ish-qeverisjes komunale.

Në njëfarë mënyre, mundësinë e suficitit e pati pranuar edhe kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, para rreth një muaji, me rastin e ndarjes së 2 milionë e 500 mijë eurove për ngrohtoren e qytetit “Termokos”.

Ai pati thënë edhe para këshilltarëve komunalë se mjetet janë marrë nga grantet qeveritare, me qëllim të pamundësimit të shkuarjes në suficit në fund të vitit fiskal. Suficiti krijohet kryesisht nga grantet qeveritare, pasi që të hyrat vetjake të pashpenzuara mund të barten për një vit më vonë, porse i mbeten Komunës përkatëse, shkruan Koha Ditore.

Mjetet suficit, ndërkaq, kthehen prapa në Qeveri dhe destinohen për projekte të tjera. Se Komuna e Prishtinës do të shkojë pa mëdyshje në suficit e potencon edhe opozita prishtinase. Shefi i Grupit të këshilltarëve komunalë nga radhët e LDK-së, partisë më të madhe opozitare në Komunë, Sami Hamiti, ka thënë për gazetën se Komuna e Prishtinës, pos suficitit dhe bartjes së miliona eurove për vitin e ardhshëm, nuk do të arrijë ta përmbushë as planifikimin për mbledhjen e tatimit në pronë. /Telegrafi/