Site icon Telegrafi

Prishtina përforcohet në stafin teknik, Orhan Abdi trajner i ri kondicional

Është afati kalimtar i transferimeve të futbollistëve, por Prishtina është përforcuar edhe në shtabin teknik.

Skuadra e madhe kosovare ka angazhuar Orhan Abdin si trajner të ri kondicional të klubit.

35-vjeçari përveç që do ta kryej punën e trajnerit kondicional të klubit është edhe video analist.

Ai më parë ka punuar te FC Shkupi, Feronikeli, Rabotniçki dhe Përfaqësuesja e Maqedonisë U17 dhe te ajo U21.

“Njihem që moti me kryetrajnerin Zekerija Ramadani dhe pas iniciativës së tij, të drejtorit sportiv, Fisnik Kërçeli dhe pas bisedave me krerët e klubit, kam kënaqësinë të pranoj dhe të punoj në njërin prej klubeve më të mëdha në Ballkan, FC Prishtina”.

“Është kënaqësi dhe privilegj të punoj në këtë klub dhe po ashtu është eksperiencë e mirë për mua që të punoj jashtë Maqedonisë”.

“Kam punuar me ekipin në dy-tre seancat e fundit stërvitore, gjendja e fizike e ekipit duket e mirë, megjithëse ndodhemi në fazën përgatitore dhe kam besimin se do të arrijmë nivelin që duam ne dhe skuadra do të jetë mjaftueshëm e përgatitur, si fizikisht po ashtu edhe taktikisht”, ka deklaruar Abdi për faqen zyrtare të klubit prishtinas. /Telegrafi/

Exit mobile version