Prishtina është favorite dhe më të drejtë pritet fitore e saj, por Hajvalia edhe pse nuk e ka pasur një fillim të mbarë këtë sezon, gjithmonë është skuadër e vështirë për t’u “kapërdirë”.
Tekniku i Prishtinës, Afrim Tovërlani, pas asaj pjese të dytë të mirë të zhvilluar në Gjilan, mendon se ekipi ka nisur ta marrë formën dhe me Hajvalinë hyn për të marrë tri pikë të reja dhe kështu të kthehet në kulmin e futbollit kosovar. “Jemi të përgatitur mirë për këtë ndeshje.
E kërkojmë trepikëshin dhe kështu ngadalë të nisim të ngritemi aty ku edhe e kemi vendin. Sigurisht kjo bëhet vetëm me punë dhe angazhim”, tha Tovërlani, i cili kundërshtarin e cilëson si një ekip të fortë me individ të mirë, por jo të pathyeshëm.
Ai për këtë ndeshje nuk mund të llogaritë në Sead Miftarin e suspenduar si dhe në Liridon Latifin e lënduar, ndërsa nën dyshim mbeten kapiteni Driton Krasniqi dhe mbrojtësi Mirsad Idrizi.
“Shkrimet e fundit se inkuadrimi i Shend Kelmendit ka qenë i rastësishëm janë të pavërteta. Shendi nga fillimi ka qenë në planet tona por nuk kemi startuar nga fillimi për shkak të atmosferës së mirë dhe ai është i ri. Ndryshe, ai nga fillimi është planifikuar se do të luajë. Ngadalë dalë do t’ iu jepet rasti të gjithë të rinjve sikur iu dha këtë herë Kelmendit”, shtoi Tovërlani.
I bindur se këtë herë do të tregojnë lojë të mirë dhe do të marrin fitore, është mesfushori Argjend Mustafa.
Sipas tij ndeshja me Dritën ishte një sinjal që Prishtina po rikthehet në formë. “Pas ndeshjes me Dritën, edhe pse me një lojtar më pak u pa që kemi arritur formë të mirë.
Pra vetëm me angazhim dhe punë mund t’i bëjmë të gjitha. Edhe me Hajvalinë po besojmë se do të angazhohemi maksimalisht do ta tregojmë lojën tonë”, tha Mustafa.
Në anën tjetër, Hajvalia kërkon këndellje dhe ku do ta gjente këtë më mirë sesa në Prishtinë. Nëse këtu fiton atëherë përfundimisht do t’i thoshte stop rezultateve jo të mira.
Kjo është arsye pse ajo ndaj Prishtinës do të kërkojë fitore.
“4 ndeshje pa fitore është shumë, kështu që në Prishtinë shkojmë për lojë të hapur dhe të kërkojmë rezultat pozitiv. Prishtina përkundër shumë largimeve prapë është skuadër e fortë e cila meriton çdo respekt”, ka thënë kapiteni Gëzim Gashi.
Sot zhvillohen edhe dy ndeshje tjera të kësaj jave, Ferronikeli në Skenderaj e pret Trepçën, ndërsa një sfidë me rivalitet pritet të jetë ajo në Fushë Kosovë, ku takohet Fushë Kosova e Drenica. Të dyja ekipet nuk po kalojnë formë të mirë, kështu që në këtë përballje do të mundohen t’i japin fund rezultateve të dobëta. /Zëri/Telegrafi/