Në radhët e kampionit dhe fituesit të kupës, Prishtinës, nuk ka pothuajse asnjë risi, edhe pse të shtunën kjo skuadër e zhvillon ndeshjen e parë të rrethit të parë të kupës së EHF-it, kundër skuadrës austriake, Bregenz.
Në fakt, kryetrajneri Taib Kabashi ka në dispozicion të gjithë ata hendbollistë të cilët morën pjesë në edicionin e kaluara në garat evropiane, ku arritën deri tek rrethi i tretë, por nuk ka përforcime nga jashtë, ndonëse deri vonë mbante shpresa se mund të bëhet diçka në këtë drejtim.
Mirëpo, skuadra megjithatë do të jetë e përforcuar nga rrafshi vendor, e kjo do të thotë se për ndeshjen e së shtunës do t’i bashkohen edhe dy përforcime nga Besa Famiglia, Kastriot Jupa e Daniel Dupjaçanac, të cilët e ndihmuan Prishtinën edhe në garat e vitit të kaluar.
Siç dihet, më parë është angazhuar edhe hendbollisti i ri nga skuadra pejane Egzon Xhuka.
“Nuk kemi arritur të përforcohemi me hendbollistë të huaj pasi për këtë na mungon buxheti, por e falënderojmë skuadrën e Besa Famiglias për bashkëpunim pasi dy hendbollistë të saj do të na ndihmojnë në garat evropiane”, tha Taib Kabashi, i cili bëri me dije se skuadra po stërvitë dy herë në ditë dhe, sipas tij, atmosfera në klub është shumë e mirë.
Kabashi thotë se ka njohuri të bollshme për rivalin e parë në garat evropiane. “Kemi informata për skuadrën Bregenz nga Austria dhe mund të them se është shumë cilësore, pasi përveç vendorëve është e përforcuar edhe me hendbollistë nga Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi dhe Serbia, kështu që na pret punë e vështirë në dy ndeshjet. Mirëpo, unë jam optimist së të paktën në ndeshjen e parë në kryeqytet do të shënojmë fitore, Së paku të lëmë një përshtypje të mirë, e nëse na jepet rasti edhe të kalojmë në rrethin tjetër”, tha Kabashi.
Ndeshja Prishtina – Bregenz, zhvillohet të shtunën në pallatin e sporteve në kryeqytet dhe fillon nga ora 20:00. /Zëri/Telegrafi/