Kjo ndeshje e rëndësishme mjaft shumë për të dy skuadrat, pasi të dy ekipet synojnë kreun e tabelës, pritet të mbush tribunat e stadiumit me tifozë të shumtë, por jo edhe me tifozët nga Prishtina.
Tifozëve të Prishtinës “Plisave” iu është refuzuar kërkesa për pjesëmarrje në ndeshjen Llamkos Kosova – Prishtina, e cila zhvillohet të dielën në Vushtrri.
Fansat prishtinas kishin kërkuar 300 bileta për atë ndeshje, por për shkak të kushteve jo të mira që ofron stadiumi “Ferki Aliu” kjo gjë ka qenë e pamundshme.
“Llamkos Kosova me keqardhje ju përgjigjet në kërkesën e juaj për sigurimin e 300 biletave për tifozët ‘Plisat’. Këto bileta nuk mundemi t’iu sigurojmë për shkak se stadiumi i Llamkos Kosovës nuk i plotëson kushtet për numër të madh të shikuesve. Ky objekt ka kapacitet vetëm për 1700 vetë të ulur dhe këto vende gjithnjë janë të rezervuara nga simpatizuesit Vushtrrias. Na vjen keq nga simpatizuesit dhe klubi juaj mirëpo këto janë mundësit edhe pse e pranojmë që në Prishtinë të dy palët e tifozërive kanë kaluar shumë mirë”, është thënë në njoftimin e skuadrës vushtrriasve që i ka dërguar tifozëve prishtinas.
Kryendeshja mes Llamkos Kosovës dhe Prishtinës luhet nesër dhe nis në orën 13:00. /KP/Telegrafi/